PS, strategjia e fushatës së kandidatëve
Në prag të nisjes zyrtare të fushatës elektorale për zgjedhjet e 28 qershorit, Partia Socialiste është duke u dhënë fund përgatitjeve të fushatës elektorale. Pas zbardhjes së emrave të kandidatëve për deputetë për çdo qark është përcaktuar strategjia që do të ndiqet, në takimet gjatë fushatës elektorale. Për Qarkun e Tiranës është menduar që 32 kandidatët për deputetë të grupohen në 7-8 grupe të përbëra nga katër pesë persona. Çdo grup do të zhvillojë fushatën elektorale në emër të partisë në 2-3 njësi vendore në të gjithë këtë qark. Duke dashur t‘i largohet edhe de facto sistemit të vjetër, PS nuk ka pranuar që të caktojë kandidatët në zona të caktuara, pasi në këtë mënyrë do të bëhej identifikimi i kandidatëve me zonën ku ai kërkon votat. Burimet nga PS-ja bënë të ditur se është menduar një punë në ekip më e përgjithësuar, për të punuar gjatë ditëve të fushatës. Sakaq, kandidatët e katër qarqeve zhvilluan dje një takim me kreun e selisë rozë, Edi Rama, ku morën udhëzimet e fundit. Veç të tjerash, takimi u shfrytëzua për të bërë fotot e duhura që do të përdoren si postera. Kandidatët, meqë do paraqiten si një ekip i përbashkët, do të kenë postera, ku mes tyre qëndron edhe kryetari socialist. Veç fotove të përbashkëta, kandidatët do të kenë edhe foto personale me logon dhe sloganin e PS-së. Kandidatët e Qarkut Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Fier u panë dje në ambientet e selisë rozë, ku fotografët kujdeseshin për të përftuar imazhin më të mirë të tyre. Sakaq, selia rozë është duke përgatitur spotet televizive që do të shoqërojnë gjithë fushatën elektorale. Kreu i PS-së, Rama, para disa ditësh ishte në Bulqizë, ku u xhirua një pjesë e një prej spoteve televizive të PS-së.