E Diel, 1 Nëntor 2026

G99: Berisha po bën fushatë elektorale me spote televizive

 

Lëvizja politike G99 akuzoi Kryeministrin Berisha se ka nisur në mënyrë të paligjshme fushatën elektorale përmes spoteve televizive të paguara me paratë e taksapaguesve. “Sikur të mos mjaftonte spoti 1 milion eurosh i kryeministrit, tanimë në këtë fushatë kanë filluar të angazhohen me radhë të gjitha ministritë e zotit Berisha. A ka sot shqiptar që beson se spotet për rrugët, arsimin e rendin, nuk shënojnë fillimin informal të fushatës nga ana e Partisë Demokratike? A ka sot shqiptar, të majtë apo militantë të thekur të Partisë Demokratike, që ende mendojnë se me këto spote zoti Berisha nuk po shkel me të dyja këmbët ligjet e këtij vendi?”, u shpreh Maklen Misha, aktivist i kësaj lëvizje. Ai i bëri thirrje institucioneve ndërkombëtare të ndërhyjnë, sepse shkeljet e vazhdueshme të ligjit do cenojnë rëndë procesin e zgjedhjeve në Shqipëri. “I bëjmë po ashtu thirrje institucioneve mbikëqyrëse ndërkombëtare që të ndërhyjnë për të adresuar këtë situatë përpara se shkeljet e vazhdueshme të çdo ligji e rregulli nga ana e qeverisë të kenë kompromentuar në mënyrë të parikuperueshme procesin e zgjedhjeve të ardhshme legjislative”, u shpreh Misha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›