E Diel, 1 Nëntor 2026

Organizatat shqiptare: Jo pazareve me OMONIA-n

Rrjeti i organizatave shqiptare pozicionohet kundër memorandumit që organizata OMONIA i ka dërguar qeverisë greke për të mos nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit të Bashkimit Evropian me Shqipërinë. Ky forum organizatash ku përfshihen Klubi Kombëtar, lëvizja "Mjaft!", ASAN, shoqëria "Çamëria" dhe Instituti Liberal Shqiptar kërkojnë që qeveria të mos bëjë pazare me OMONIA-n.

Rrjeti i organizatave shqiptare u bën thirrje organeve qeveritare që të mos ta konsiderojnë procesin e Stabilizim Asocimit të Shqipërisë si një pazar në marrëdhëniet dypalëshe me cilindo shtet anëtar të BE-së që mund të shkëmbehet me varreza ushtarësh, shpallje gjuhësh zyrtare, apo më keq, rivizatime të kufijve administrativë të Shqipërisë, për të krijuar njësi autonome territoriale në modelin e "Republika Srpska" në territorin e vendit.

Pesë organizatat shqiptare e konsiderojnë nënshkrimin e MSA-së si një arritje të merituar të Shqipërisë dhe gjithë qytetarëve të saj dhe këtë e kanë vërtetuar shumica e vendeve të BE-së që e kanë nënshkruar tashmë. Shqetësimi kryesor i këtij rrjeti erdhi nga përmbajtja e deklaratës së OMONIA-s, e cila është hartuar gjoja në mbrojtje të pakicës greke në Shqipëri, por në të vërtetë është e mbushur me të pavërteta dhe synon të minojë jo vetëm procesin e integrimit të Shqipërisë në BE dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë midis Shqipërisë dhe Greqisë, por edhe të prishë artificialisht marrëdhëniet e mira ndëretnike në Shqipëri, si edhe mund të cenojë integritetin territorial të Shqipërisë, gjë që përbën një shkelje të Kushtetutës dhe të ligjeve të shtetit shqiptar.

Rrjeti i organizatave shqiptare shpreh keqardhjen që në shekullin XXI ekzistojnë akoma në Shqipëri, apo edhe në Ballkan, individë që kërkojnë të fshehin realitetin dhe që ndërtojnë realitete virtuale që u shërbejnë politikave të mbrapshta të urrejtjes etnike dhe ëndrrave imperialiste të shekullit XIX. "Pakica greke në Shqipëri gëzon të gjitha të drejtat që burojnë nga rendi kushtetues e demokratik i vendit, si edhe të drejtat kulturore që burojnë nga dokumentet e organizatave evropiane dhe ndërkombëtare, në zonat ku kjo pakicë është e përqendruar", thuhet në komunikatën për shtyp të këtij rrjeti organizatash. Në të vërtetë nuk ka asnjë raport të hartuar nga aktorë të pavarur ndërkombëtarë dhe kombëtarë që ta mohojë respektimin e minoriteteve në Shqipëri. Situata e pakicës greke në Shqipëri mund të merret si model në të gjithë rajonin e Evropës Juglindore, ku ka akoma shtete që nuk njohin ekzistencën e pakicave kombëtare dhe të drejtat e tyre. "Kërkojmë me forcë nga organet shtetërore shqiptare që të hetojnë mbi ligjshmërinë e shpifjeve dhe kërkesave të tilla. U bëjmë thirrje organizatave të tjera të shoqërisë civile në Shqipëri që të reagojnë ndaj këtyre abuzimeve që hedhin poshtë përpjekjet mbarëshoqërore për ndërtimin e një shteti ligjor dhe të një shoqërie të hapur sipas modeleve evropiane", citohet në komunikatën e përbashkët të Klubit Kombëtar, lëvizjes "Mjaft!", ASAN, shoqatës "Çamëria" dhe Institutit Liberal Shqiptar. Ky rrjet, veçanërisht i bën thirrje bashkësisë greke që jeton në Shqipëri që të distancohet dhe të reagojë ndaj kësaj organizate që pretendon se përfaqëson interesat dhe zërin e tyre. Integrimi evropian i Shqipërisë u shërben njëlloj të gjithë qytetarëve të saj, pa dallime etnike apo të tjera.

Sipas tyre, procesi i integrimit të Shqipërisë është i pandalshëm, sepse ka pas tij vullnetin e qytetarëve të Shqipërisë, udhëheqësve politikë të saj dhe të partnerëve tanë evropianë. "Prandaj tentativa e disa individëve megalomanë nuk mund ta ndalë. Ajo nuk bën gjë tjetër veçse fyen rëndë identitetin shtetëror e kombëtar të shumicës së qytetarëve të këtij vendi dhe aspiratat e tyre për t‘u bërë pjesë e pandashme e Evropës së Bashkuar", thuhet në deklaratën e përbashkët.

Përfaqësues i Klubit Kombëtar

Enis Sulstarova: MSA nuk mund të kushtëzohet nga këta persona

"Deklarata e OMONIA-s është provokative". Kështu e ka specifikuar përfaqësuesi i Klubit Kombëtar, Enis Sulstarova, mesazhin që organizata OMONIA i ka dërguar Greqisë për mosfirmosjen e MSA-së për Shqipërinë në rast se pala shqiptare nuk njeh të drejtat e minoritetit grek.

Si e komentoni deklaratën e OMONIA-s për mosnënshkrimin e MSA-së nga Greqia për Shqipërinë, nëse Tirana zyrtare nuk plotëson kushtet e minoritetit grek?

Është një deklaratë provokative, që dëmton marrëdhëniet e mira zyrtare mes dy vendeve. Normalisht, integrimi i Shqipërisë në BE dhe MSA nuk mund të kushtëzohet nga persona të këtij lloji.

A duhet t‘i dëgjojë pala shqiptare kërkesat dhe presionet e një vendi tjetër për të përfituar nënshkrimin e MSA-së?

Faktikisht, MSA-në e kanë nënshkruar shumica e vendeve të BE-së. Gjë që shpjegon se përpjekjet e Shqipërisë janë marrë seriozisht. Greqia s`mund ta përdorë MSA-në si një mjet për të bërë presion, kjo nuk është korrekte. Në krahun tjetër, çështje të tilla nuk mund të jenë çështje pazaresh, qoftë edhe për MSA-në.

Përfaqësues i "Mjaft!"-it

Llukan Taku: Shqipërisë i duhet MSA-ja dhe identiteti kombëtar

Lëvizja "Mjaft!" e konsideron të pamundur bashkëpunimin e Tiranës dhe Athinës zyrtare në rast se ekzistojnë presione të tilla nga organizata OMONIA. Përfaqësuesi i "Mjaft!", Llukan Taku, sqaron se "është e vështirë të ndërtosh marrëdhënie të fqinjësisë së mirë me shtete që të vendosin përpara dilemave.

Si i gjykoni presionet e organizatave të ndryshme minoritare për të dhënë dhe për të marrë ato që ata dëshirojnë në këmbim të zgjidhjes së interesave të tyre?

Kjo është diçka e pakuptimtë, sepse jemi në vitin 2008 dhe është e pamundur të ndërtosh marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë me shtete që të vendosin përpara një dileme, që ose do bëhesh pjesë e Evropës duke na dhënë ato gjëra që cenojnë identitetin tënd, ose do të qëndrosh të mbetesh jashtë këtij organizmi që ne synojmë prej kohësh. Është e turpshme kjo gjë.

Në fakt, cila mendoni ju se është më e rëndësishme: MSA-ja apo ruajtja e identitetit kombëtar?

Mendoj se është e rëndësishme t‘i kesh të dyja. Mendoj se është e kotë që të përfshihesh në Evropë nëse nuk ke identitet dhe mendoj se është e pamundur që të qëndrosh jashtë Evropës.

Përfaqësues i shoqatës patriotike "Çamëria"

Altin Osmani: Greqia të njohë çështjen çame

Shoqata patriotike "Çamëria" vendos theksin te zgjidhja e çështjes çame. Përfaqësuesi i kësaj shoqate, Altin Osmani, ka bërë me dije se Shqipëria i respekton të drejtat e komunitetit grek, duke kërkuar në këtë mënyrë që edhe Athina zyrtare të respektojë të drejtat e popullsisë shqiptare çame.

Është më e rëndësishme të kemi MSA-në apo të ruajmë identitetin tonë përballë presioneve të vazhdueshme të segmenteve të caktuara të Greqisë?

Shteti shqiptar duhet të ruajë identitetin kombëtar. Nuk mund të shkohet drejt BE-së, duke shitur identitetin tonë, por duhet ta ruajmë atë, pasi pjesëmarrja e Shqipërisë në Bashkimin Evropian duhet të tregohet më e fortë në ruajtjen e këtij identiteti. Shteti shqiptar duhet të reagojë gjithashtu lidhur me çështjen çame. Shoqata "Çamëria" dhe PDI i kanë bërë një kërkesë Ministrisë së Jashtme për ngritjen e dy varrezave, gjenocidin që është ushtruar ndaj kësaj popullsie një në qytetin e Paramthisë dhe një varrezë pranë lumit Kallama. Gjithashtu, kjo kërkesë iu dorëzua edhe Kryeministrit, ndërkohë që vlen të theksojmë se shteti shqiptar ende nuk po reagon lidhur me kërkesat e komunitetit çam.

Si e komentoni deklaratën e fundit të OMONIA-s, që Greqia të mos nënshkruajë MSA-në për Shqipërinë në rast se Tirana zyrtare nuk plotëson disa kërkesa të minoritetit grek?

Është një deklaratë provokuese dhe mendoj se minoritetit grek në Shqipëri i janë plotësuar të gjitha kushtet dhe standardet në bazë të konventave ndërkombëtare të minoriteteve, ndërkohë që shteti grek nuk respekton konventat ndërkombëtare për minoritetin shqiptar në Greqi, për arvanitasit që janë atje, që janë 2-3 milionë dhe për popullsinë shqiptare çame që kërkon identitetin e saj. Pra nuk kërkojmë as më shumë dhe as më pak, vetëm të na njohin gjenocidin që është ushtruar ndaj nesh.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›