E Shtunë, 31 Tetor 2026

Simone Cristicchi: Më shumë këngëtarë se hidraulikë

Një vit më parë, me një histori tronditëse, Simone Ceisticchi arriti të fitonte Festivalin e Sanremos. Këngën "Ti regalero una rosa", e shumë të tjera i këndoi mbrëmë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, në mbrëmjen "Gala" të ndarjes së çmimeve të edicionit të katërt të Festivalit të Filmit për Fëmijë dhe të Rinj "Giffoni Albania"

Vetëm zë e kitarrë. "Nudo, pa orkestrime, ashtu si janë krijuar në dhomën time". Simone Cristicchi ishte 17 vjeç, kur me një kitarrë të vjetër, të gjetur në papafingon e shtëpisë, vendosi të shprehë me muzikë historitë që tregonte përmes vizatimeve në fumetti. Që atëherë kanë kaluar ca vite dhe Cristicchi vazhdon të tregojë me të njëjtin stil. Një vit më pare, me një histori tronditëse, arriti të fitonte Festivalin e Sanremos. "Ti regalero una rosa", kolona zanore e një dokumentari për spitalet psikiatrike e bëri atë të njohur edhe në Shqipëri. Këtë këngë ai e këndoi mbrëmë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, në mbrëmjen "Gala" të ndarjes së çmimeve të edicionit të katërt të Festivalit të Filmit për Fëmijë dhe të Rinj "Giffoni Albania". Të tjera këngë të kënduara nga këngëtari italian ishin "Vorrei cantare come Biagio", "Che bella gente", etj. Në një intervistë, "kumbari" i Giffonit tregon lidhjet me këtë festival, me Shqipërinë, për dokumentarin mbi psikiatritë e Italisë, këngën fituese të Sanremos, etj. Baba i ri prej 8 muajsh, Simone nuk do të donte që i biri të bëhej këngëtar. Sipas tij, me një kompjuter e tastierë, kushdo mund të bëhet.

Përveçse një vend i vogël përtej Adriatikut, nga ku vijnë emigrantë, ç'dini për Shqipërinë?

Unë jam lidhur me këtë vend përmes disa njerëzve që njoh në Itali. I pari që më vjen në mendje është Olen Çezari, një violinist i madh, me origjinë shqiptare, nga Durrësi, që bashkëpunon me mua prej vitesh. Do të më pëlqente që të kthehesha këtu dhe të bënim një tur të vogël, të luanim në kitarrë e violinë, të bënim koncerte nëpër Shqipëri. Kështu që Shqipërinë e njoh përmes këtij personi, me të cilin kam bashkëpunuar për shumë vite, por jo më shumë.

Jeni i njohur në Shqipëri më së shumti përmes këngës që fitoi Sanremon. Na tregoni diçka për të, jeni nxitur nga ndonjë ngjarje reale, kur e shkruat?

Kam realizuar një dokumentar mbi çmendinat në Itali dhe kënga "Ti regalero una rosa" duhet të ishte kolona zanore e tij. Një vit më parë ky film fitoi edhe një çmim në "Giffoni Film Festival". Ishte një këngë që përshkruante një udhëtim që kisha bërë dhe historia e të "çmendurit" që dhuron në trëndafil është e vërtetë, ka ndodhur. Më preku shumë ky veprim i butë, kjo ndjeshmëri, në një kohë kur je i braktisur nga të gjithë, kur je i margjinalizuar. Kur e dëgjuan diskografët e mi, menduan ta propozonin për Festivalin e Sanremos, sepse ishte një këngë ndryshe nga të zakonshmet. Flet për një tematikë të "sikletshme". Nuk flitet për sëmundjet mendore, aq më tepër përpara miliona njerëzve, ndoshta sepse të bezdis, ndoshta sepse të fut frikën. Kështu që mund ta imagjinoni gëzimin dhe mallëngjimin e njerëzve, kur dëgjuan këtë këngë dhe pastaj edhe e vlerësuan, sepse fitoi falë votës popullore.

Si ju lindi ideja për të realizuar një dokumentar me këtë temë?

Që i vogël kam qenë në kontakt me këta njerëz, sepse në lagjen time në Romë, jetonin tre persona pak të "veçantë", me të cilët unë flisja shpesh. Më tej, me kalimin e viteve, kam pasur eksperienca të tjera, vullnetarizmi, shkoja t'i ndihmoja, organizonim aktivitete së bashku. Por më vonë zbulova këtë anë të errët, spitalet psikiatrike, që kanë funksionuar deri në vitet '80. Këto vende ku i mblidhnin, i mbyllnin dhe pak përpiqeshin t'i kuronin. Elektroshoku, këmishat e forcës, apo shkelmat, kërkonin të fshinin identitetin e të sëmurit. Nisur nga këto "zbulime" nisa të bëj një udhëtim me një grup të vogël, nëpër Itali, në këto vende të braktisuara. Në këto spitale të mëdha, ku çdo gjë është në vendin e vet, por të pabanuar, pas hyrjes në fuqi të ligjit të vitit 1978, që ndryshuan gjërat. U mbyllën çmendinat dhe që aty lindën eksperienca të tjera, jo më të mbylljes, por të hapjes me jashtë. Por ende ka shumë për t'u bërë në këtë drejtim.

Si nisët të merreni me muzikë?

Isha 17 vjeç, kur gjatë një vere në papafingon e shtëpisë sime gjeta një kitarrë të vjetër të pluhurosur, për t'u hedhur. U bëra kurioz. Nisa të mësoj akordet e para mbi këngët italiane klasike dhe më pas, duke qenë se unë vizatoja fumetti (revista me vizatime), vendosa të tregoj historitë e tyre përmes muzikës. Sot mund të them që këngët e mija i ngjajnë shumë këtyre revistave, pasi janë histori të vogla, të cilat kanë një fillim, një zhvillim, apo një mbyllje surprizë. Si të ishin filma me metrazh të shkurtër.

Sa e vështirë është për një kantautor të ri të evidentohet dhe t'i mbijetojë tregut?

Është shumë e vështirë sepse sot, krahasur me 20 vjet më pare, është më e lehtë për t'u afruar me muzikën. Është më e lehtë, pasi me një kompjuter dhe një tastierë, të gjithë mund të bëhemi kompozitorë, apo këngëtarë, nëse jemi minimalisht të intonuar. Kështu që numri i personave, që dëshiron të bëjë një karrierë artistike, në muzikë më shumë se në fushat e tjera, është shumë i madh. Dhe për t'u evidentuar duhet diçka më shumë, ndoshta një zë i ndryshëm, apo zotësi në të shkruar. Në Itali ka shumë konkurse që të ndihmojnë të evidentohesh dhe unë jam "produkt" i njërit prej tyre. Madje kam marrë pjesë në vitin 2000 në një koncert të organizuar nga Giffoni, ku mora pjesë si konkurrent. Kjo është edhe lidhja ime e parë me Giffonin. Isha një artist emergjent, që ende nuk kishte bërë asgjë dhe pjesëmarrja në atë konkurs më dha shtysën të vazhdoja.

Ju bëni një muzikë ndryshe, fjala ka shumë rëndësi në atë që krijoni, ju frikëson komercialiteti?

Rreziku ekziston, sidomos sot që ka një krizë në diskografi. Pak nga pak shtëpitë diskografike po falimentojnë, pasi nuk shesin më. Kur merr përsipër të bësh një muzikë ndryshe, rreziku është gjithnjë i pranishëm. Në rastin tim, nuk mund të bëja një muzikë tjetër. Duhet të bëj diçka që më pasqyron, që tregon në mënyrë perfekte atë që jam. Ka shumë këngë komerciale që transmetohen shpesh në radio, në televizione, që kërcehen, e kur ka një muzikë të gëzuar, apo një refren, apo një pjesë që këndohet, teksti thotë budallallëqe. Porka edhe përjashtime.

Cilat janë angazhimet tuaj më të afërta?

Jam bërë baba prej 8 muajsh dhe im bir, Tomaso, është projekti im më i madh. Po përgatis diskun tim të tretë, i cili do të dalë në shkurt dhe po bëj edhe një ndryshim me karakter muzikor. Po provoj në drejtim të muzikës rrok. Po mundohem të përballem me stile muzikore, me të cilat nuk kam eksperimentuar akoma. Më tej do të nis një turne dhe e përsëris që do të më pëlqente të vija në Shqipëri, të jepja koncerte dhe të provoj që të transmetoj muzikën time edhe në vendin tuaj, që është shumë afër nesh, po edhe larg për arsye të ndryshme. Shpresoj që kjo të ndodhë vitin që vjen.

Do të donit që edhe djali juaj të bëhej këngëtar si ju?

Oh, jo, jo. Në Itali ka më shumë këngëtarë se hidraulikë. Tek ne të gjithë duan të bëhen këngëtarë dhe im bir ndoshta do të bëhet hidraulik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›