E Diel, 1 Nëntor 2026

G99: Qeveria t‘i japë fund spoteve promocionale

Lëvizja G99 solli dje në vëmendjen e publikut shqiptar abuzimin mediatik që qeveria Berisha ka ndërmarrë në muajt e fundit. Sipas Genci Kojdhelit qysh prej muajit Gusht, qeveria "Berisha" ka prodhuar dhe transmetuar 6 fushata reklamuese që promovojnë sukseset e paqena të qeverisë në tre vitet e fundit, duke i treguar shqiptarëve shifra të paqena arritjesh. G99 thekson se kjo taktikë e re për të manipuluar opinion publik është një tjetër tentativë e qeverisë për të mbuluar me shoshë dështimet e njëpasnjëshme në të gjitha fushat jetike për vendin. "Është gjithashtu e rëndësishme të theksohet se qeveria është duke abuzuar me fondet e taksapaguesve shqiptarë, duke prodhuar fushata propagandistike që mashtrojnë vetë taksapaguesit", u shpreh Kojdheli. Ai tha se sipas informacioneve nga mediat në vend, vetëm fushata reklamuese e Këshillit të Ministrave ka kushtuar rreth 1 milion Euro. "Fushatat publicitare të Këshillit të Ministrave, Ministrisë së Transporteve, Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Arsimit, Ministrisë së Bujqësisë, dhe Ministrisë së Kulturës e Turizmit, përveçse janë një harxhim i pajustifikueshëm, i pamoralshëm dhe jo transparent i fondeve publike", tha Kojdheli. G99 mendon se për të thelluar këtë kontroll mbi mediat, KKRT nuk ka lejuar transmetimin e spoteve të cilat vënë në dukje dështimin e qeverisë, duke u kthyer kështu në një polici të mendimit dhe fjalës së lirë. "Nëse Kryeministri Berisha dhe qeveria e tij duan të informojnë publikun për ‘suksese‘, duhet gjithashtu të bëjnë edhe një fushatë informuese për qindra mijëra të papunë në qytet e fshat, për njerëzit që marrin ushqimet me listë", nënvizoi ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›