G99: SHISH të qëndrojë larg ndikimit të qeverisë
Tiranë, 26 Janar NOA Lëvizja G99 kërkoi sot
që Shërbimi Informativ Shtetëror të qëndrojë larg ndikimit të qeverisë. Përfaqëësuesi
i lëvizjes, Genci Kojdheli tha në një dalje për mediat se mazhoranca po devijon
vëmendjen e opinionit publik, duke u marrë me një çështje sa periferike aq edhe
problematike, siç është mandati dhe kompetencat e Shërbimit Informativ të
Shtetit.
Përmes një vendimi të kaluar dje, qeveria po
tenton të kufizojë mandatin e drejtuesve të Shërbimit Informativ Kombëtar, pa
dhënë shpjegim se përse është e nevojshme kjo manovër, pa u konsultuar me
opozitën, dhe pa konsideruar opinionin e partnerëve ndërkombëtarë në këtë fushë,
- deklaroi Kojdheli.
Sipas tij, tentativat e kësaj qeverie për të
kontrolluar SHISH kanë nisur që në mandatin e kaluar, me përpjekjen për ta
kaluar SHISH nën hyqmin e Ministrisë së Brendshme.
Nuk do të shqetësoheshim aspak për këtë
ripërkufizim të mandatit dhe kompetencave të SHISH, - tha Kojdheli, - sikur
iniciativa të mos vinte nga mazhoranca e drejtuar prej z. Berisha.
Të gjithë e mbajnë mend kohën kur Shërbimi
Informativ ishte vetëm një vegël në duart e presidentit të asokohe, dhe
shërbente si një institucion dhune, frikësimi e represioni, - komentoi
Kojdheli.
Duke përfunduar, ai tha se i kërkojmë kësaj
qeverie që të kthejë sytë nga problemet e mprehta të vendit, nga zonat e
përmbytura, nga varfëria e tejskajshme, kriza ekonomike, e reforma e pronës,
dhe të mos prekë e tentojë të uzurpojë institucionet kushtetuese, ashtu si nuk
ka hezituar të bëjë në të shkuarën.
e.r/NOA