Kufiri me Greqinë, Kushtetuesja deklaron se ende nuk ka asnjë vendim

Tiranë, 26 Janar NOA - Gjykata Kushtetuese ka
vendosur të pranojë kërkesën e Partisë Socialiste për të kaluar në rishqyrtim
marrëveshjen mes Greqisë dhe Shqipërisë për çështjen e kufirit detar, thanë
sonte, burime jozyrtare nga Gjykata Kushtetuese.
Ndërkohë, zyrtarisht ky lajm as u pohua dhe as
u mohua. Fehmi Abdiu, anëtar i Gjykatës Kushtetuese i pyetur sonte deklaroi se nuk
ka asnjë vendim në lidhje me çështjen e marrëveshjes së kufirit mes Shqipërisë
dhe Greqisë.
Z.Abdiu deklaroi se gjatë ditës së djeshme dhe
të sotme janë zhvilluar tre mbledhje në të cilat është diskutuar në lidhje me marrëveshjen,
por theksoi se debati vazhdon dhe nuk ka asnjë vendim.
Debati për këtë temë vazhdon dhe për rrjedhojë
pyetja nëse ka një vendim për këtë marrëveshje, bie, - deklaroi Abdiu.
Sakaq, jozyrtarisht thuhet se Gjykata
Kushtetuese ka vendosur që të mos i hapë rrugën fuqisë ligjore të marrëveshjes
së qeverive të Athinës dhe Tiranës.
Gjashtë parti politike kishin dërguar rreth
tre muaj më parë në Gjykatën Kushtetuese çështjen e shënimit të vijës kufitare
detare mes Shqipërisë dhe Greqisë.
Marrëveshja mes dy vendeve u nënshkrua në prill 2009, por hyrja në fuqi kërkon
dhe miratimin e Kuvendit.
Marrëveshja ka ngritur dyshime të mjaftueshme që të kërkojmë nga Gjykata
Kushtetuese të vlerësojë nëse marrëveshja është në përputhje me ligjin
themeltar të shtetit, ishte motivimi nga Partia Socialiste.e.r/NOA