E Shtunë, 31 Tetor 2026

Moratoriumi për skafet, plas sherri mes deputetëve të mazhorancës

Tiranë, 27 Janar NOA Deputetët e Partisë
Demokratike janë ndarë më dysh sa i përket Moratoriumit antiskaf që
kryeministri Berisha vendosi me qeverinë e tij që të shtyhet edhe për tre vjet
të tjerë.

Në Komisionin Parlamentar të Sigurisë, moratoriumi
i skafeve ka përfshirë në një debat deputetët e mazhorancës dhe përfaqësuesit e
Ministrisë së Brendshme.

Deputeti Paulin Sterkaj dhe deputeti tjetër
Flamur Hoxha, e konsideroi absurd vendimin e qeverisë për të ndalur mjetet
motorike me fuqi të ulët duke konsideruar se kjo është një mënyrë e mirë për të
vrarë turizmin.

Deputetët demokratë ilustruan me skuterët,
motorë deti dhe gomonet e vogla duke vlerësuar se ato janë mundësi për të
zhvilluar turizmin dhe lojërat e ujit.

Por pretendimi i tyre u kundërshtua nga përfaqësuesit
e Ministrisë së Brendshme. Ata thanë se ndalimi i këtyre mjeteve sportive ujore
u bë pasi fuqia motorike e tyre është parë nga ekspertët si mundësi për trafikim
të lëndëve narkotike.
Në fund të debatit, mazhoranca e ka gjetur gjuhën e përbashkët sepse me shumicë
votash Komisioni i Sigurisë vendosi që gjatë seancës së ardhshme plenare të
diskutohen kundërshtitë e hasura në diskutimin e projektit.

Kështu u vendos që të merren nën shqyrtim pikërisht
mjetet me fuqi të vogël motorike për të parë nëse ato mund të mos përfshihen në
ligjin që pritet të kalojë për votim në Parlament.

Deputetët, pranuan se ligjërisht, Moratoriumi
është një masë që ka dhënë efekte pozitive gjatë tre viteve të kaluara në fazën
e parë, në luftën kundër trafiqeve ilegale dhe lëndëve narkotike.

Qeveria Berisha dërgoi moratoriumin që të
shtyhet edhe për tre vjet të tjera, në përpjekje për ti hequr shanset
Bashkimit Evropian për të reduktuar mundësit e e liberalizimit të vizave.

Zërat kundër moratoriumit nuk kanë reshtur
edhe brenda mazhorancës aktuale. Arkeologu Neritan Ceka, aktualisht këshilltar i
kryeministrit, shumë herë ka ngritur zërin për të kundërshtuar moratoriumin,
por së fundi është tërhequr nga kërkesa e bërë publikisht, pasi gjendet në
piramidën qeveritare.

e.r/NOA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›