Jozyrtare, Kushtetuesja pranon kërkesën e PS për të rishqyrtuar kufirin me Greqinë
Tiranë, 26 Janar NOA - Gjykata Kushtetuese ka
vendosur të pranojë kërkesën e Partisë Socialiste për të kaluar në rishqyrtim marrëveshjen
mes Greqisë dhe Shqipërisë për çështjen e kufirit detar, bënë të ditur pak çaste
më parë, burime jozyrtare nga Gjykata Kushtetuese. Ndërkohë, zyrtarisht ky lajm nuk u pohua.
Mësohet se sot është bërë publik, ndonëse nuk
ka pasur një mbledhje gjatë së Martës, fakti se Gjykata Kushtetuese ka vendosur
që të mos i hapë rrugën fuqisë ligjore të marrëveshjes së qeverive të Athinës
dhe Tiranës.
Gjashtë parti politike kishin dërguar rreth
tre muaj më parë në Gjykatën Kushtetuese çështjen e shënimit të vijës kufitare
detare mes Shqipërisë dhe Greqisë.
Marrëveshja mes dy vendeve u nënshkrua në prill 2009, por hyrja në fuqi kërkon
dhe miratimin e Kuvendit.
Marrëveshja ka ngritur dyshime të mjaftueshme që të kërkojmë nga Gjykata
Kushtetuese të vlerësojë nëse marrëveshja është në përputhje me ligjin
themeltar të shtetit, ishte motivimi nga Partia Socialiste.