E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rritet interesi i biznesit serb

Për herë të parë në Tiranë vjen një delegacion me përfaqësues të biznesit serb, ndërkohë që në 23-25 mars do të zhvillohet në Beograd një forum i biznesit shqiptaro-serb. Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranë, Gjokë Uldedaj, priti dje homologun serb, Millosh Buralin. Nisur nga fakti se të dyja institucionet kanë interesa dhe detyrime të përbashkëta ndaj biznesit, palët kanë rënë dakord që të rrisin bashkëpunimin ekonomik. Kreu i Dhomës së Serbisë, u njoh me disa projekte kryesore, si akset rrugore drejt Malit të Zi etj., si dhe me situatën fiskale të Shqipërisë. Palët pranuan se, duhet të nxitet udhëtimi hekurudhor dhe ai ajror. Uldedaj foli për liberalizimin dhe krijimin e tregtisë së lirë, si edhe për lehtësimin e sistemit të vizave me vendet e rajonit. Më tej, u theksua roli i Dhomës së Tregtisë, që është sot institucioni më i rëndësishëm në vend, tërësisht në mbështetje të sipërmarrjes. Kryetari i Dhomës së Tregtisë të Serbisë, Millosh Buralin, duke folur për institucionin që drejton, tha se ajo është përfaqësuese e të gjithë komunitetit të biznesit serb, me kapacitet për të ndërhyrë në ndryshimin e ligjeve, me gjykatë nderi që përfshin arbitrazhin ndërkombëtar etj.

Shifrat e shkëmbimeve tregtare midis vendeve tona, tha Buralin, arrijnë në 19 milionë USD, një shifër larg mundësive reale. "Prandaj edhe shtrohet nevoja për bashkëpunim më të ngushtë. Serbia, si nënshkruese e CEFTA-s ka tashmë një treg prej 30 milionë banorësh", dhe kreu i Dhomës serbe. Sipas tij, Marrëveshja e Tregtisë së Lirë është firmosur me Federatën Ruse dhe vende të Bashkimit Evropian, ndërkohë që është në negociata me Bjellorusinë, Turqinë dhe Iranin.

Situata e brishtë ekonomike rajonale në të cilën zhvillohej takimi, diktoi edhe argumente që kishin të bënin me përpjekjet e institucioneve ballkanase që promovojnë biznesin për të zbutur efektet e krizës. Millosh Buralin theksoi se kriza nuk ka falur asnjë shtet, kështu që edhe Ballkani është i përfshirë nga kjo. Në krizë janë edhe kërkesa, edhe prodhimi, edhe financat. Pra, këto probleme i kemi pasur dhe i kemi, ndërsa kriza vetëm sa i ka zbuluar më shpejt. "Është e rëndësishme që vendet e rajonit të bashkëveprojnë në realizimin e projekteve të përbashkëta, që ta kalojmë sa më lehtë këtë kohë krize. Sigurisht, kemi mundësi ta përballojmë nëse ndërveprojmë në mënyrë rajonale."

Duke pasur parasysh nevojën për përmirësimin e klimës ekonomike në rajon, Kryetari i Dhomës së Tregtisë të Tiranës, Gjokë Uldedaj, tha se është fjala për një treg ku aktorët plotësojnë njëri-tjetrin. Po t‘iu referohemi shifrave, edhe Shqipëria edhe Serbia kanë të njëjtat përqindje të marrëdhënieve me KE-në. Ajo çfarë duhet të bëjmë, është intensifikimi i shkëmbimeve tregtare me njëri-tjetrin, shtoi Uldedaj. Kjo do të ndikojë në zbutjen e efekteve të krizës, e cila vjen nga Perëndimi dhe jo nga ne.

Gjatë takimit, të dy kryetarët vunë në dukje klimën konstruktive të bisedimeve dhe të bashkëpunimit midis bizneseve reciproke, duke nënvizuar se politika duhet të ndjekë hapat e biznesit.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›