G99: Vota e emigrantëve të futet në Kod
Komisioni parlamentar i Reformës Zgjedhore, ka zhvilluar dje një seancë dëgjimore me drejtuesit e G99 dhe Komitetin Shqiptar të Helsinkit. G99 ka ripërsëritur edhe njëherë kërkesën e tij për t‘u dhënë mundësinë edhe emigrantëve shqiptarë që të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme, duke dhënë votën e tyre. Ata i kanë paraqitur Komisionit të Reformës Zgjedhore një platformë konkrete që do të mundësonte votimin e shqiptarëve që jetojnë jashtë atdheut. Pas mbledhjes së komisionit të reformës, e cila është zhvilluar me dyer të mbyllura, kreu i G99, Erjon Veliaj, është shprehur se "i kemi dorëzuar me sukses komisionit zgjedhor platformën e detajuar se si mund të votojnë emigrantët. Mbetet për t‘u vendosur fatura financiare, që sigurisht vjen me një kosto, kosto që është vetëm një fraksion, krahasuar me një miliard euro që emigrantët sjellin në Shqipëri gjatë një viti". Sipas Veliajt, sistemi që ata kanë propozuar është i saktë dhe transparent dhe parashikon formën e votimit me postë. "Barra e identifikimit në këtë rast u bie qytetarëve shqiptarë, që jetojnë jashtë atdheut, pasi janë ata të parët që duhet të shprehin interesin e tyre, të regjistrohen, të japin mjetet e tyre të identifikimit, si dhe adresën. Më pas, do të jetë një institucion shtesë, i quajtur Komisioni Qendror për Votimin nga Jashtë, i cili do t‘u çonte emigrantëve fletët e votimit me një postë rekomande të një kompanie të njohur, e cila kryen votimin në distancë rekomande dhe verifikimin e identifikimit të personit", ka theksuar para gazetarëve Veliaj. Për G99, ky proces bëhet i mundur me një fond prej rreth 20 milionë eurosh. Sipas Veliajt, propozimi i tyre është pritur pozitivisht nga Komisioni i Reformës Zgjedhore, por tashmë pritet të shikohet se cili do të jetë vendimi përfundimtar që do të marrë komisioni, pas shqyrtimit të kërkesës. Gjithashtu, edhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit është shprehur pro kësaj ideje, duke theksuar se emigrantëve nuk mund t‘u mohohet e drejta votës së tyre.