E Diel, 1 Nëntor 2026

PS bën publike 15 pyetje për kreun e qeverisë

Socioalistët i kanë kërkuar shefit të qeverisë tu përgjigjet 15 pyetjeve publike sa i takon çështjes së Damir Fazlliç. Kreu i Asamblesë Kombëtare të socialistëve Gramoz Ruçi tha se kryeministri Berisha më në fund pohoi se e njihte Damir Fazlliçin, shtetasin serbo-boshnjak që prej shumë vitesh është kryekëshilltar i Partisë Demokratike. "Dëshmia e djeshme e Sali Berishës qe e paqartë, qe konfuze, qe e rreme, pra qe dëshmia e njeriut që e ka gjithnjë e më të vështirë të përballet me të vërtetat e tharta", u shpreh Ruçi. PS i kërkon kryeministrit tu përgjigjet disa pyetjeve: Së pari cili është roli i Damir Fazlliç-it në Kompaninë BG&R dhe në marrëdhëniet me Sali Berishën dhe Partinë Demokratike? Më pas sa është vlera e kontratës midis BG&R dhe Sali Berishës për fushatën e zgjedhjeve të vitit 2005? Në ç‘rrugë janë paguar paratë dhe sa tatime ka paguar në Shqipëri Kompania BG&R ? Cili ka qenë roli i Damir Fazlliç gjatë fushatës zgjedhore 2005 dhe a është paguar ai për këtë rol? Cili është aktualisht roli i Damir Fazlliç pranë qeverisë shqiptare dhe vetë Sali Berishës? Sa herë dhe me çfarë statusi ka qenë Damir Fazlliç në zyrën e zotit Berisha, cilat janë projektet për të cilat ka negociuar ai me qeverinë shqiptare? Sa është vlera financiare e tyre, sa prej tyre janë pranuar nga ana e Qeverisë dhe a janë zhvilluar gara për këto projekte? Kush dhe cilat kompani kanë qenë përfituese direkt të këtyre projekteve? Çfarë aktiviteti kanë kryer në Shqipëri 5 kompanitë e denoncuara publikisht në media me emër e mbiemër, me data, akte themelimi e adresa të sakta, tre prej të cilave kanë për administrator Erion Isufin, kunat i ministrit pa imunitet Lulzim Basha? Sa tatime i kanë paguar shtetit shqiptar në 4 vjet këto 5 kompani dhe çfarë projektesh kanë realizuar ato deri tani. Pyetjet e tjera kanë të bëjnë me faktet se kur janë shitur dhe sa është vlera e tatimeve të paguara për shitjen, për tre nga kompanitë e mësipërme? Kush i ka kryer procedurat ligjore të shitjes së kompanive të mësipërme dhe cili është blerësi i tyre ?

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›