Meta: Berisha ushtroi një presion kriminal ndaj deputetëve
Ilir Meta u shfaq dje me tone të ashpra ndaj kreut të shumicës në pushtet. Teksa ju referua seancës së fundit të parlamentit, kreu i LSI-së tha se Berisha dhunoi përsëri atë. "Ai u soll përpara përfaqësuesve të popullit shqiptar si një pronar gangster i parlamentit, duke shkelur çdo kufi e standard të moralit politik e njerëzor", tha ai. Meta konstatoi mungesën e përgjigjes dhe bërjen e transparencës ndaj akuzave të rënda për lidhje të tij me rrjete mafioze e kriminale ndërkombëtare. "Që po nxijnë edhe atë imazh pozitiv që na kanë dhënë aleatët tanë me ftesën për në NATO", vijoi ai. Përkundrazi Sali Berisha, vlerëson Meta, krejtësisht i çoroditur emocionalisht nga kjo aferë e zbuluar se fundmi, ushtron një presion kriminal mbi përfaqësuesit e popullit, duke i thënë të mbyllin gojën, ose ndryshe ai do të nxjerrë provat e rënda, madje dhe filmimet, të përfshirjes së tyre në punë të pista e korruptive. Lëvizja Socialiste për Integrim vë re se Kryeministri Berisha që gënjen çdo ditë shqiptarët se lufta kundër korrupsionit dhe krimit janë sfida e jetës së tij, mban në sirtarët e tij afera e krime të deputetëve, dhe nuk i denoncon ata. "Si mund të luftohet krimin dhe korrupsion, nga një Kryeministër i tillë, në rast se ai vetë ruan e fsheh krime të politikanëve të tjerë, qofshin këtë edhe të opozitës, ndërkohë kur ka bërë një spot i bënë thirrje gjithë qytetarëve shqiptar që të denoncojnë tek ai çdo rast abuzimi dhe shkelje të ligjit", shtroi pyetjen Meta. Ai gjeti rastin të denoncojë këtë fakt si një përgjegjësi jo vetëm politike por edhe penale, pasi të fshehësh fakte kriminale do të thotë të mbash përgjegjësi penale në një shtet ligjor. "Kur do t‘i nxjerr këto dosje zoti Berisha,a po atëherë kur të prishen pazaret që ka bërë me ata që kërcënon?", u shpreh Meta. Ndaj, shtoi ai, përdorimi i krimit e korrupsionit si mjet shantazhi për të trembur çdokënd që thotë të vërtetat e rënda të përfshirjes së Sali Berishës në rrjetet e mafies e trafikut ndërkombëtar është dy herë përgjegjësi e rëndë jo vetëm përpara opinionit publik por edhe përpara ligjit. "Sali Berisha sfidoi sërish parlamentin, duke kërkuar, madje duke u lutur me hipokrizi për mocion mosbesimi, pasi ai e di mirë se çfarë bëri me ndryshimet e kushtetutës ne 21 prill", insistoi Meta. Duke sqaruar me atë ndryshim u bë e pa pamundur çdo lloj mocioni mosbesimi ndaj tij nga ana e opozitës dhe parlamentit, duke siguruar për fat të keq, për aq kohë sa do të jetë në postin e Kryeministrit, imunitet të plotë ndaj aktivitetit të tij mafioz dhe kriminal. "Por Sali Berisha duhet ta ketë të qartë se në Shqipëri shumica dërmuese e shqiptarëve janë njerëz te lire, qe ai as nuk mund t‘i kap, e as nuk mund t‘i trembi me shantazhet e tij kriminale", argumentoi Meta. Në vlerësimin e ish-kryeministrit socialist, tashmë është forcuar bindja e shumicës së shqiptarëve se vetëm duke ikur Sali Berisha vendi mund të shpëtojë nga krimi, nga korrupsioni dhe pengmarrja. Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim i mëshoi fort logjikës se asnjë reformë nuk mund të kryhet më me këtë kryeministër. Qëndrim që vjen pas deklaratës së një dite më parë se LSI pranon çdo zgjidhje demokratike që çon tek largimi i Berishës nga posti i kryeministrit.