Gjinushi: Me këtë shumicë nuk bëhen më reforma
Kreu i socialdemokratëve Skënder Gjinushi kritikoi ashpër kreun e qeverisë Sali Berisha. Sipas tij, Berisha, si bashkëpunëtor i zellshëm i Milosheviçit e i Arkanit, nuk mund të ketë bashkëpunëtorë të rinj, vetëm njerëz të tipit Fazlliç. "Reagimi i tij në Kuvend tregoi degradimin e plotë të kësaj shumice; tregoi degradimin e plotë të sallës së Kuvendit dhe rolit të tij si institucion, në të cilin mafia kryeministrore bën shantazh dhe presion ndaj deputetëve e mbarë opinionit publik", nënvizoi Gjinushi. Ne, shtoi ai, si grup socialdemokrat nuk mund të pranojmë kërcënimin e një kryebanditit që kërkon të sjellë si dëshmitarë të akuzuarit për krime në sallën e Kuvendit dhe ndërkohë zhduk dëshmitarë të krimeve të tij si Remzi Hoxhën e Kosta Trebickën. Gjinushi i bëri thirrje kreut të shumicës të mos sjellë Fazlliçin në Kuvend, por të shkojë bashkë me të në Hagë sipas kërkesës së Milosheviçit dhe amanetit të tij. "Kjo dhunë psikologjike e tipit mafioz e denjë për një pronar moteli me menaxhere Jozefinën është pjesë e dhunës dhe presionit që po bëhet prej 4 vjetësh ndaj gjithë institucioneve të vendit, Presidentit, Gjyqësorit, Prokurorisë dhe Kuvendit", theksoi Gjinushi. Shqiptarët duhet të kuptojnë, tha ai, të majtë e të djathtë, se ai që trumbetonte në 2005 çlirimin e shtetit nga klani i Zemunit, është në fakt në një fushatë të gjithanshme për të kontrolluar shtetin, hallkat kryesore të tij nga miqtë e bashkëpunëtorët e Zemunit, Sali Fazlliç dhe Damir Berisha. PSD thotë se konflikti nuk është midis pozitës e opozitës, por midis klaneve mafioze dhe institucioneve të pavarura; midis qeverisjes korruptive dhe qytetarëve të ndershëm. "Në këtë luftë për pushtimin e institucioneve Berisha është ndihmuar edhe nga segmente të kapur a të blerë të së majtës, veçanërisht gjatë 2005-2007", sqaroi Gjinushi. Ne, u shpreh Gjinushi, vlerësojmë se çdo bashkëpunim me të në emër të reformave, veçanërisht në drejtësi, është në dëm të demokracisë dhe të së ardhmes së shqiptarëve. "Ne ritheksojmë se e vetmja zgjidhje është largimi i Sali Berishës e dhënia llogari para drejtësisë, si përgjegjësi kryesor i krizës ekonomike, varfërimit e vjedhjes, vrasjes së shqiptarëve. Zbardhja e skandaleve e krimeve të tilla si Gërdeci, Durrës-Kukës, e zhdukja e dëshmitarëve fillon nga largimi nga qeveria e të implikuarve", nënvizoi Gjinushi. I pyetur nëse është për largim të qeverisë tani apo përmes zgjedhjeve, ai tha se "referenca tek vota është vetëm një alibi për zgjatjen e jetës së qeverisë Berisha". Kreu socialdemokrat tha se nuk jemi kaq jetëgjatë si shqiptarë sa të presim të humbasin 4 vjet nga jeta jonë nga një qeverisje kaq e mbrapshtë.