G99-a: “Bujqësia, sektori më i braktisur nga qeveria”
Rëndësia që ka sektori bujqësor në Shqipëri shpesh harrohet nga politikëbërësit në vend. Shqipëria është e varur ekonomikisht te bujqësia sepse ky sektor punëson rreth 60% e popullsisë aktive dhe kontribuon me 25% në GDP e vendit. Sot politikanet nuk flasin për çështjet e bujqësisë. Menaxhimi i këtij sektori kaq jetësor është lënë në duar administratorësh të paaftë. Këto kanë qenë disa nga konkluzionet e arritura në tryezën që organizoi dje G99 me ekspertë të fushës së bujqësisë. Në fjalën e tij, kryetari i G99-s Erion Veliaj theksoi se problemet e një sektori jetik si bujqësia, shqetësojnë si popullsinë e zonave rruale si atë të zonave urbane. “Sot shumë shqiptarë që jetojnë në zona rurale janë të shqetësuar për shkak të skandalit të misrit, për shkak se mundi i punës së tyre është djegur dhe ata ende nuk kanë marrë asnjë rimbursim. Qytetarët urbanë janë të shqetësuar nga siguria e ushqimeve për veten e tyre si dhe për fëmijët e tyre si në rastin e skandalit të qumështit me melaminë. Për G99-n siguria e jetës është një temë me prioritet absolut. Është e trishtë që shqiptarët vdesin sepse shpërthen një depo demontimi, është po aq e trishtë që shëndeti i tyre kërcënohet nga ushqime të pakontrolluara apo që ata varfërohen në mënyrë ekstreme nga skandale si ata të misrit”, - tha Veliaj.
Aktivisti i G99-s dhe eksperti i sektorit bujqësor, Artur Galanxhi, theksoi dy probleme kryesore të cilat qeveria aktuale këto 3 vjet i ka përkeqësuar: problemet e pronësisë, të cilat e kanë lënë fermën bujqësore shqiptare me një zhvillim të paqëndrueshëm si dhe mungesa e mbështetjes nga strukturat shtetërore. “Sot prodhohet në sasi dhe cilësi të ulët. Konsumatori është i pambrojtur sepse politikat për mbrojtjen e konsumatorit janë minimale si për problemet e cilësisë së mallrave ashtu dhe për abuzimet në çmime”, - tha Galanxhi.
17 Tetor 2008