E Diel, 1 Nëntor 2026

Kartat, kanë aplikuar mbi 50 për qind e qytetarëve

25/03/2009  KORÇE- Në rajonin e Korçës mbi 50% e qytetarëve të papajisur me pasaportë kanë aplikuar për marrjen e letërnjoftimit, ndërsa nga dita në ditë numri i personave që po procedon me aplikimet po vjen në rritje. I veçantë mbetet fakti se në këtë rajon për marrjen e letërnjoftimit elektronik, mjaft interes kanë paraqitur edhe emigrantët që jetojnë në vende të tjera, veçanërisht në shtetin grek. Nëse procesi do të vijojë me këto ritme, atëherë pritet që ky rajon të jetë një ndër të parët që do të përmbyllë brenda të gjitha afateve kohore pajisjen e të gjithë qytetarëve me letërnjoftimin e ri. Procesi i filluar ka treguar qartë se qytetarët nuk kanë qenë të interesuar vetëm për të qenë të pranishëm ditën e votimeve, por veçanërisht për të patur një dokument autentik, i cili do t’i shpëtonte nga radhët e gjata të certifikatave, dhe veç kësaj do të ishin bindës në identitetin e tyre edhe në ato vende ku punojnë dhe jetojnë. Në rajonin e Korçës, ekzistojnë vetëm 51.325 qytetarë të papajisur me pasaportë, ndërsa bashkia e Korçës ka vetëm 8.000 qytetarë, çka do të thotë se shumë shpejt procesi do të konsiderohet i përmbyllur me këtë kategori qytetarësh. Nga strukturat shtetërore përkatëse janë shitur rreth 27 mijë mandate arkëtimi, çka do të thotë se procesi i aplikimeve ka ecur mjaft mire, pasi aktualisht mbi 50% e qytetarëve që nuk kanë patur pasaportë kanë aplikuar për marrjen e letërnjoftimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›