E Diel, 1 Nëntor 2026

G99-a: “Më shumë vëmendje për shtresat në nevojë”



Aktivistët e “G99”-s kanë zhvilluar një seri aktivitetesh gjatë ditës së Bajramit për të sjellë në vëmendjen publike disa nga grupet më në nevojë të shoqërisë shqiptare që në këtë ditë jo gjithmonë gjejnë arsye për të festuar. Kryetari i kësaj lëvizjeje, Erion Veliaj, vizitoi dje minatorët grevistë dhe u përcolli atyre një mesazh ndihme dhe solidariteti. “G99”-a ka përkrahur kauzën e statusit të minatorëve që në fillim të protestave dhe gjatë grevës së tyre të parë dhe do të jetë përsëri krah tyre në datën 2 tetor në protestë. Veliaj tha se në një ditë si kjo vëmendja nuk duhet t’u mungojë këtyre njerëzve që kanë sakrifikuar aq shumë dhe që sot nuk kanë mundësi të festojnë me familjet e tyre. Veliaj u shpreh ashpër kundër indiferencës së zyrtarëve dhe përfaqësuesve të lartë fetarë, të cilët nuk kanë mbrojtur me forcë problemet e njerëzve të varfër, por janë përqendruar në kauza si pronat e komuniteteve fetare. "Harmonia fetare në Shqipëri është e admirueshme. Ajo që nuk duhet të ekzistojë është harmonia e heshtjes përballë fenomeneve shqetësuese sociale", - tha Veliaj. Në një aktivitet me fëmijët dhe familjet romë, zëdhënësja e “G99”-s, Olta Xhacka, dhe aktivistë të tjerë të “G99”-s shpërndanë disa ndihma në ushqime. Xhacka u shpreh se në këtë ditë solidarizimi duhet të gjendemi pranë njerëzve në nevojë. "Është e trishtueshme që pas kaq vitesh tranzicion shqiptarët të gjenden në kushte të tilla ekonomike”, - tha Xhacka.

PAD-ja gati të kalojë në koalicionin e PD-së

Partia Aleanca Demokratike duket se po kristalizon gjithnjë e më shumë pozicionimin e saj në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Pasi presidenti i PAD-së Neritan Ceka pranoi ofertën e Topallit për t’u bërë nënkryetar i Kuvendit, PAD-ja duket se do të pranojë edhe ofertën e bërë nga kryeministri Berisha për t’u rreshtuar në koalicionin e PD-së në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vitit 2009. Vetë Ceka nuk e ka përjashtuar këtë mundësi, ndërkohë që PAD-ja tashmë mund të konsiderohet gjithnjë e më larg bashkëpunimit me partitë e së majtës. Ajo që mund të thuhet me siguri është se PAD-ja ka ndërprerë çdo lloj mundësie bashkëpunimi me Partinë Socialiste. Kjo u duk qartë kur Ceka refuzoi ftesën e Ramës për të marrë pjesë në tryezën e partive parlamentare të opozitës. E vetmja rrugë bashkëpunimi midis PAD-së dhe partive të majta është LSI-ja, me të cilën PAD-ja ka bashkëpunuar ngushtë kohët e fundit. Por pranimi i ofertës për t’u bërë nënkryetar i Kuvendit duket se e çon më shumë PAD-në drejt pozicionimit djathtas dhe rreshtimit të saj në koalicionin e së djathtës në zgjedhjet e ardhshme.

1 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›