Paloka: “Po presim Kodin Zgjedhor për të filluar zgjedhjet në parti”
Eljona Ballhysa
Ndryshimet në Kodin Zgjedhor duket se kanë penguar realizimin e zgjedhjeve në degët e Partisë Demokratike. Deputeti i kësaj partie, Edi Paloka, është shprehur se PD-ja është në pritje të Kodit të ri Zgjedhor për të realizuar zgjedhjet e kryetarëve të degëve dhe nëndegëve të kësaj partie. Sipas tij, PD-ja është një parti elektorale, dhe si e tillë do të përshtatet me ndryshimet e reja të Kodit Elektoral. Më tej Paloka ka pranuar se ka pasur një shkëputje të PD-së nga elektorati, dhe kjo, sipas tij, ka ardhur për shkak të punëve të qeverisë. Ai ka bërë të ditur se shumë shpejt do të nisë riorganizimi i partisë. Paloka gjithashtu bëri të ditur se për shkak të ndryshimit të sistemit zgjedhor dhe fushata zgjedhore do të ketë risi. Sipas tij, fushata zgjedhore do të jetë kolektive, pasi me këtë sistem votohet partia dhe pastaj kandidati për deputet.
Deklarata
“Ne duhet të bëjmë fushatë kolektive në bazë, sepse sistemi i ri zgjedhor, proporcional rajonali, na detyron të dalim si kolektiv, pasi votohet partia dhe në bazë të votave që merr partia, fitohen mandatet për deputetë në Kuvend. Por kandidatët për deputetë gjithashtu do të bëjnë fushatë më vete”, -është shprehur Paloka. Ai ka bërë të ditur se PD-ja ka shkëputur lidhjet me elektoratin, por së shpejti do të nisë një fushatë komunikimi me të. “Kuptohet që i kemi shkëputur disi lidhjet me elektoratin për shkak dhe të qenit në pushtet dhe jemi marrë më së shumti me punët e qeverisë. Por së shpejti do të ketë një riorganizim të partisë dhe do t’i rikthehemi komunikimit me bazën”, - është shprehur Paloka.
Skema e organizimit
Deputeti i PD-së, nga ana tjetër, ka bërë të ditur se fushata zgjedhore e PD-së nuk ka filluar për shkak se priten ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Ai është shprehur se fill pas miratimit të Kodit të ri Elektoral do të nisë fushata zgjedhore për postet e kryetarëve të degëve dhe nëndegëve të PD-së në rrethe. Prej kohësh është bërë e ditur se PD-ja ka në plan të ndryshojë statusin e partisë duke e përshtatur atë me ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Sipas deputetëve të kësaj partie pritet që PD-ja të reduktojë numrin e të zgjedhurve në parti, nga 100 në 12, kjo sipas numrit të zonave elektorale të parashikuara në sistemin e ri zgjedhor, proporcionalin rajonal. Sipas Palokës, procesi zgjedhor brenda partisë do të nisë menjëherë pas miratimit të Kodit të ri Zgjedhor dhe nuk do të ketë shtyrje të mëtejshme në mënyrë që t’i paraprijë dhe përgatitjeve për zgjedhjet e ardhshme elektorale. Sipas burimeve, ndryshimet e reja në statut pritet të sjellin dhe një skemë të re të organizimit të Partisë Demokratike. Skema e re parashikon zgjedhjen e 12 kryetarëve degësh, të cilët do të jenë në nivel qarku. Vendosja e një kryetari dege të PD-së në nivel qarku pritet të sjellë më pak kryetarë nëndegësh, proces ky i cili do të sjellë reduktim të burokracisë, por gjithashtu dhe rritje të përgjegjësive. Këta kryetarë do të kenë përgjegjësi për organizimin e të gjithë strukturës së partisë në nivel qarku në rast të proceseve zgjedhore si parlamentare, ashtu dhe lokale. Nga ana tjetër, skema e re synon dhe largimin nga postet drejtuese të shumë kryetarëve të degëve të PD-së në rrethe. Burimet bëjnë të ditur se zgjedhjet në parti do të sjellin një fytyrë të re të PD-së përpara elektoratit, veçanërisht në qytetet kryesore. Por pritet që të mblidhet Këshilli Kombëtar për të startuar këtë fushatë ndryshimesh në parti.
1 Tetor 2008