E Diel, 1 Nëntor 2026

Transparency International: “Gërdeci nuk është përfshirë në raport”



Drejtoresha Ekzekutive e “Transparency International Albania”, Mariana Papa, ka bërë të ditur dje se “ngjarja tragjike e Gërdecit nuk është përfshirë në opinionet e ekspertëve për nivelin e korrupsionit”. Sipas saj, raporti i “Transparency Interantional” nuk është dhuratë për qeverinë dhe as kurorëzimi i luftës së saj kundër korrupsionit. Drejtoresha Papa bëri të ditur më tej se raporti i këtij viti, i publikuar pak ditë më parë, është ndërtuar mbi bazën e të dhënave të mbledhura nga ekspertët vitin e kaluar, çka do të thotë se në të nuk përfshihet fakti sa ka ndikuar tragjedia e rëndë e Gërdecit në perceptimin për korrupsionin. “Vërtet ky raport është i vitit 2008, por të dhënat e tij janë mbledhur në vitin 2007. Indeksi i perceptimit të korrupsionit nuk është një sondazh, i cili bazohet mbi opinionin e publikut mbi korrupsionin, por është një indeks i përbërë nga disa raporte të zhvilluara gjatë vitit 2007, nga institucione prestigjioze që merren me vlerësimin e demokracisë, por edhe me vlerësimin e ekonomisë së tregut në nivelin rajonal, global dhe kombëtar”, - është shprehur Papa. E pyetur nëse është marrë parasysh tragjedia e Gërdecit në këtë raport dhe për përfshirjen e qeverisë në këtë tragjedi, përfaqësuesja e “TIA”-s është përgjigjur se “të dhënat e këtij indeksi i përkasin vitit 2007 dhe nuk ka mundësi që një ngjarje që ka ndodhur më vonë të ndikojë në opinionin e këtyre ekspertëve, të cilët kanë dhënë vlerësimet e tyre për nivelin e korrupsionit”.
“Transparency Interantional Albania” mbetet e shqetësuar se politika ka keqpërdorur të dhënat e raportit të publikuar. Pak ditë më parë “Transparency International” publikoi raportin e “Perceptimit të korrupsionit në botë”. Shqipëria renditet e 85-ta mes 180 vendeve që janë përfshirë në këtë raport. Indeksi i korrupsionit në Shqipëria vlerësohet në nivelin 3.4 dhe krahasuar me dy vite më parë, 2006 – 2007, vihet re një rritje prej 1-2 notash.

1 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›