LSI-ja akuzon këshilltarët bashkiakë të PD-së dhe të PS-së
Lëvizja Socialiste për Integrim akuzon këshilltarët bashkiakë të kryeqytetit, të PD-së dhe të PS-së, se kanë miratuar dhënien me koncesion të dy hapësirave publike në Tiranë për ndërtimin e parkingjeve në mungesë të plotë transparence. Sokol Dervishaj, përfaqësuesi i LSI-së në Këshillin Bashkiak të Tiranës, i cili është njëkohësisht edhe kryetar i këtij këshilli, tha se për miratimin e këtyre lejeve ndërtimi duhet të ishin pyetur edhe grupet e interesit, që në këtë rast janë përfaqësuesit e pronarëve të tokës. “LSI-ja në asnjë mënyrë dhe në asnjë rast nuk ka qenë kundër zhvillimit të qytetit, zhvillimit dhe investimit në infrastrukturë, dhe për më tepër edhe në sistemin e parkingjeve në kryeqytet, veçanërisht të parkingjeve publike e nëntokësore në rastin konkret. I kemi mbështetur këto iniciativa, por jo në mënyrën se si ato bëhen dhe në mënyrën se si ato po kryhen, pasi praktikisht kemi të bëjmë me një situatë fare të paprecedentë, një situatë në mungesë të plotë të transparencës, të mirëkuptimit dhe të diskutimit, të zbatimit të detyrimeve ligjore që kanë institucionet e qeverisjes vendore, përkatësisht këshilli vendor, Këshilli Bashkiak i Tiranës, të cilin ligji e ngarkon me përgjegjësi të qartë për të diskutuar, për të këshilluar, për të komunikuar me komunitetin për të gjitha ato iniciativa apo për të gjitha ato veprime që kanë të bëjnë me dy prej pikave më të rëndësishme të axhendës së Ligjit 8652, i cili përcakton dhe rregullon funksionimin e këshillit bashkiak apo këshillit vendor në tërësinë e tij”, - tha Dervishaj.
1 Tetor 2008