G99-a dëgjesë me fasonët: “Shteti, asnjë lehtësim për këtë sektor biznesi”
G99-a organizoi dje një dëgjesë me përfaqësues të biznesit të fasonëve për t’u njohur me problematikat e këtij sektori si dhe për të diskutuar lehtësirat e mundshme që shteti mund të krijojë për të stimuluar fasonët. “Biznesi i fasonëve përballet me një konkurrencë shumë të fortë nga vendet e tjera në rajon, që tashmë kanë treguar se janë histori suksesi si Rumania, Serbia apo dhe Moldavia me Ukrainën. Në këto vende shteti ka ofruar një larmi lehtësirash financiare për të nxitur ardhjen e investitorëve të huaj. Shqipëria duhet të bëhet vendi i mundësive dhe i shpresës dhe një biznes që u ofron njerëzve një punë dhe një jetesë dinjitoze është aksioner i kësaj shprese dhe mundësie”, - tha kreu i G99-s, Erion Veliaj. Fasonët ngritën disa shqetësime kryesore, që janë pengesa në mbarëvajtjen e punës dhe që rrezikojnë konkurrueshmërinë e tyre të bazuar te krahu i lirë i punës. Përfaqësues të Dhomës së Fasonëve thanë se shteti duhet të krijojë mundësitë që punonjësit të jenë më të kualifikuar dhe të arsimuar dhe në mungesë të saj të mbulojë detyrimet financiare gjatë kohës që punonjësit trajnohen në punë. Pagat minimale dhe ato të referencës ishin gjithashtu një shqetësim i fasonëve së bashku me detyrimet e taksave që kanë rënduar shumë barrën fiskale me të cilën ata përballen dhe kanë ulur avantazhet e tyre për të afruar kompani të huaja. Detyrimet e taksës së sheshtë mbi kontributet e punonjësve janë përllogaritur nga fasonët të jenë rreth pesë herë më të mëdha sesa taksa progresive. Ata ngritën shqetësimin se punonjësit me rroga të ulëta ishin mjaft të dëmtuar ekonomikisht dhe nuk kishin incentivë për të punuar jashtë orarit për shkak se shpërblimet rrisnin automatikisht sasinë e detyrimit fiskal që ata i kishin shtetit. Fasonët propozuan gjithashtu që qeveria t’i mbështesë për të reklamuar vetveten në panaire ndërkombëtare.
Fasonët janë sektori që me rreth 500 kompani të regjistruara punëson rreth 70 000 njerëz në Shqipëri, duke qenë punëdhënësi numër një për momentin në vend. Ky sektor gjithashtu gjeneron rreth 60 për qind të të gjitha eksporteve që kryhen në vit nga Shqipëria. Një ndër problemet kryesore të sektorit është niveli i lartë i riskut që e karakterizon duke e bërë kështu pothuajse të pamundur kreditimin e tij nga ana e bankave. Agjencia e Garantimit të Kredive mbulon shuma deri në 80 mijë euro, kur këto biznese kanë nevojë të marrin miliona euro kredi për eksportet. Për këtë arsye transformimi i një investimi të fasonëve për t’u futur realisht si prodhues dhe eksportues në treg është një sipërmarrje që mund të realizohet sipas përfaqësuesve të fasonëve vetëm me ndërhyrjen e shtetit për të përdorur fondet e zhvillimit në mënyrë që të ndihmojë sektorin.
Veliaj tha se qeveria e ardhshme nuk mund ta ketë luksin të injorojë shqetësimin e administratorëve të biznesit në një kohë kur do të duhet të administrojë mirëqenien e vendit dhe se duhet të marrë parasysh shembujt nga vendet e rajonit për të rritur konkurrueshmërinë e këtij sektori me anë të incetivave konkrete në taksa, infrastrukturë dhe promocion.
28 Nentor 2008