Propozimet e PS-së për buxhetin në rast krize
Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste ka bërë publike një sërë propozimesh për buxhetin e qeverisë për vitin 2009, propozimet të cilat supozohen ta mbrojnë Shqipërinë në rast se kjo e fundit preket nga kriza globale. Propozimet e Grupit Parlamentar të PS-së kanë të bëjnë me rritjen e buxhetit social duke qartësuar politikat, instrumentet dhe fondet e nevojshme për të rritur mbështetjen për grupet më të prekura të shoqërisë. Këto paketa kanë edhe impaktin antikrizë, pasi vlerësohen që këto fonde rrisin konsumin në mënyrë të shpejtë dhe lehtësojnë varfërinë.
PS-ja propozon që buxheti 2009 duhet të qartësojë fondin social shtesë si fond antikrizë, jo thjesht një rritje rutinë e fondit social, siç paraqitet në këtë buxhet. Gjithashtu selia rozë kërkon që buxheti 2009 duhet të ketë një paketë investimesh publike me efekt antikrizë, pra jo thjesht rritje, por fond për investimet, të cilat rrisin punësimin, por njëkohësisht adresohen në projekte që përfundojnë, duke rritur efektin pozitiv në ekonomi. “Në buxhet duhet përfshirë si nen i veçantë pikërisht ky parim për investimet publike 2009. Asnjë investim i ri nuk duhet të financohet më pak se 33% dhe asnjë investim në vazhdim nuk duhet të financohet më pak se 33%. Koha optimale për investimet publike me burime të brendshme nuk duhet të jetë më e gjatë se 3 vjet. Ky buxhet duhet t’i japë prioritet mbylljes së investimeve aktuale duke bërë efektiv impaktin e tyre ekonomik dhe social”, - vijojnë propozimet e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste.
Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste ka propozuar që buxheti 2009 duket të ketë paketën antikrizë edhe në nivel vendor, ku rënia e aktivitetit ekonomik ka reduktuar burimin e të ardhurave, çka dëmton rëndë politikat e tyre sociale dhe investimet publike me burime të brendshme. Një pjesë e fondit të granteve të kushtëzuara që në vit elektoral tenton të keqpërdoret për çelje investimesh, të kalojë te fondi antikrizë për pushtetin vendor, duke mbështetur rritjen e investimeve të tyre, sidomos me theks të veçantë përfundimin sa më parë të projekteve në vazhdim edhe në nivel vendor. “Buxheti i vitit 2009 duhet të ketë fonde të qarta antikrizë për kreditë e këqija ndaj bankave shqiptare në qoftë se kjo do të jetë e domosdoshme. Kjo kërkon të qartësohen këto shuma, të bashkëpunohet me bankat për riskedulim të detyrimeve të papaguara”.
28 Nentor 2008