PS-PD, debat në Kuvend për hetimin ndaj Lulzim Bashës
Opozita ka kërkuar gjatë seancës së djeshme parlamentare që të mbështetet Prokuroria e Përgjithshme në hetimin që po ushtron ndaj ish-ministrit të Transporteve Lulzim Basha. Deputeti socialist Taulant Balla u shpreh gjatë fjalës së tij se Basha ka abuzuar në tenderimin e rrugës Durrës-Kukës me një shifër prej 230 milionë eurosh dhe për këtë, sipas tij, meriton të dënohet me burg. “Nga çështja e Bashës ju dilni të nderuar, mbështesni prokurorinë që çështja të shkojë në gjykatë dhe Lul Basha në burg”, - ka thënë Balla gjatë fjalës së tij në Kuvend, duke kërkuar prej maxhorancës të mos e mbrojë më Bashën dhe hajdutët e tjerë në qeveri. Balla i ka prezantuar në fillim të fjalës së tij deputetëve dy fletore me borxhet e një fshati të vogël me 270 banorë. “Kur erdhi Berisha, e gjeti fshatin me këtë fletore dhe premtoi se do t’i zhdukte listat. Sot, i ka shtuar edhe këtë tjetrën”, - tha ai, duke treguar fletoret me lista, që numërojnë një borxh prej 4 milionë lekësh për sheqer, vaj, miell dhe bukë. “Me paratë e shqiptarëve paguhet Fazlliçi, administratori Isufi, Malltezi, Lulzim Basha dhe familja kryeministrore. Nuk ka para për ndihmën ekonomike që është 2500 lekë, sepse po të rritet ajo pakësohen tenderat e Fazlliçit”, - tha Balla. Pas fjalës së tij ka reaguar demokrati Ferdinand Xhaferri, i cili u shpreh se opozita po ushtron presion politik ndaj organit të Prokurorisë së Përgjithshme për të hetuar ish-ministrin e Transporteve. “Organi i Prokurorisë, për arsye politike, vazhdon të mbajë hapur çështjen ndaj ish-ministrit të Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacioneve lidhur me çështjen e rrugës Durrës-Kukës. Prokuroria vazhdon të hetojë mbi këtë vepër lidhur me fondet e përdorura në ndërtimin e saj për shkak se ka pasur një presion politik karshi prokurorisë. Përpjekjet e opozitës për ta transformuar Prokurorinë në një drejtori politike të PS-së jo se nuk kanë pasur fryte. Rezultati i parë i kësaj është fakti që Prokuroria vazhdon të hetojë mbi këtë çështje, megjithëse ka një urdhër të gjykatës për pezullim të hetimeve. Dhe organi i akuzës u detyrua të tërhiqej nga akuza ndaj drejtoreshës së Përgjithshme të Rrugëve Lejla Saraçi dhe nga akuza ndaj ish-zëvendësministrit të PPTT-së, Armand Teliti. Por, për arsye politike, vazhdon të mbajë nën hetim ish-ministrin e PPTT-së, Lulzim Basha”, - tha deputeti Xhaferri.
28 Nentor 2008