E Shtunë, 31 Tetor 2026

G99-a në Gërdec: “Shteti i harroi viktimat e tragjedisë”



Përfaqësues të G99-s zhvilluan dje një vizitë në fshatrat e Gërdecit dhe Marqinetit për të parë më nga afër situatën në zonë pas tragjedisë së 15 marsit. G99-a, duke takuar përfaqësues nga shoqatat e të dëmtuarve si dhe banorë të këtyre fshatrave, ka ekzaminuar zhvillimet e fundit në kompensimin e dëmeve ekonomike dhe njerëzore që iu shkaktuan banorëve të fshatrave, si dhe proceset për rindërtimin dhe vazhdimin normal të jetës. Erion Veliaj, Artur Galanxhi, Genci Kojdheli dhe të tjerë aktivistë të G99-s u takuan me disa përfaqësues nga familjet e dëmtuara, të cilët paraqitën problemet dhe shqetësimet e tyre në përballje me pasojat e tragjedisë. Gjatë bisedave me përfaqësuesit nga komuniteti, G99 u informua për paaftësinë totale të strukturave shtetërore për tu përballur me pasojat e tragjedisë.
"Është e pafalshme që sot viktimat e tragjedisë së Gërdecit duhet të merren me sekserë pranë strukturave shtetërore për të përfituar dëmshpërblim për tragjedinë që e shkaktoi vetë shteti", - tha Erion Veliaj gjatë takimit. Ai shtoi se është e domosdoshme që të mos heshtet në lidhje me mënyrën sesi shteti po abuzon me vlerësimin dhe rimbursimin e dëmeve, shpërndarjen e donacioneve dhe menaxhimin e pasojave të tragjedisë.

14 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›