Legalizimet, qeveria divorc me arkitektin e legalizimeve, Hernando de Soto
Habjon Hasani
Kontrata mes qeverisë shqiptare dhe specialistit ndërkombëtar të informalitetit, Hernando de Soto, është në pikën e saj më kritike. Ndërsa instituti i drejtuar nga De Soto ka përfunduar fazën e parë të projektit për legalizimet në Shqipëri, duket se faza e dytë mund të mos kryhet kurrë. Kjo për vetë faktin se sikurse shprehen zyrtarë të Kryeministrisë, për fazën e dytë De Soto ka kërkuar një shumë të majme parash, ndërsa qeveria shqiptare ka qenë tërësisht kundër për ta paguar. Sakaq, zyrtarë shqiptarë në Këshillin e Ministrave kanë siguruar “Albania”-n se ka qenë këmbëngulja direkte e kryeministrit Berisha për të mos lëshuar pe përsa i përket çmimit të paraqitur nga qeveria. Por duket se edhe nga ana e De Sotos nuk ka pasur mbrapa-kthehu, kësisoj prej disa javësh negociatat kanë qenë të pafrytshme, ndërsa ditët e fundit qeveria shqiptare po merr parasysh dhe variantin e thyerjes së kontratës. Sakaq, zyrtarë shqiptarë kanë pohuar se edhe klima mes tyre dhe ekipit të De Sotos, që është atashuar pranë qeverisë, nuk është më si më parë dhe problemet me kontratën kanë bërë efektet e tyre.
Kontratat
Besnik Aliaj, ish-këshilltar i kryeministrit Sali Berisha për legalizimet dhe një ndër përfaqësuesit dhe bashkëpunëtorët kryesorë të Hernando De Sotos në Shqipëri, i pranoi problemet gjatë negociatave me qeverinë shqiptare. I pyetur nga “Albania” pas referatit që ai mbajti në konferencën ndërkombëtare të “Real Estate” dje në Tiranë, Aliaj është shprehur: “Po, ka pasur probleme lidhur me negociatat dhe koston për implementimin e fazës së dytë të projektit. Megjithatë, unë nuk mendoj se ky është një tregues për ndërprerje marrëdhëniesh, pasi negociatat për koston dhe vlerën e shërbimit janë mëse normale dhe kur zgjasin pak më shumë se ç’mund të jetë parashikuar”. Por përtej “entuziazmit” të Besnik Aliajt gjendja paraqitet e vështirë, ndërsa zyrtarët shqiptarë të Këshillit të Ministrave deklarojnë për “Albania”-n se “si ka ardhur puna, më shumë gjasa ka që marrëveshja të shuhet sesa të vazhdojë me fazën e dytë”. Por përveç kontradiktave serioze për koston e asistimit nga instituti i Hernando de Sotos, mes qeverisë shqiptare dhe stafit të De Sotos ka pasur gjatë dy viteve të fundit dhe kontradikta që lidhen me zbatimin e projekteve të paraqitura nga instituti. Jo rastësisht Besnik aliaj ka deklaruar dje gjatë fjalës së mbajtur në konferencën ndërkombëtare të “Real Estate” se “pak a shumë plani i veprimit për legalizimet është i qartë, sikurse unë e shpjegova më sipër, ndërsa për zbatimin dhe aplikimin e tij mos më pyesni, ju lutem, pasi ju të gjithë e kuptoni se ne mund të përllogarisim vetëm projektin dhe jo vullnetin qeveritar”.
De Soto
Drejtuesi i Institutit për Lirinë dhe Demokracinë në Lima, Peru, Hernando de Soto, ka ardhur për herë të parë në Shqipëri në nëntor të vitit 2005, i ftuar nga PNUD-i në një konferencë lidhur me ekonominë informale dhe legalizimin e zonave informale. PNUD-i organizoi asokohe një tryezë të rrumbullakët me temën “Konsolidimi i kapitalizmit dhe demokracisë në Shqipëri - të flasësh për ekonominë informale”. De Soto është një ekspert i njohur për çështje të informalitetit dhe ekonomisë informale. Sipas studimeve të bëra nga ky i fundit, dy të tretat e popullsisë në botë kanë mbetur jashtë rregullave ekonomike dhe kanë qenë të detyruar të operojnë edhe në mënyrë të jashtëligjshme. Në përgjigje të këtij ndryshimi, Hernando de Soto ka bërë një strategji për reformën ligjore që ofron një hap përpara në tregun ekonomik për qytetarët e varfër, duke e lidhur me të drejtat e tyre për pronat. De Soto ka një teori të tijën, që është përdorur në shumë vende të botës, disa praktika që kanë rezultuar të suksesshme dhe qeveria shqiptare vendosi të pajtojë atë për rekomandime dhe asistencë për këto çështje dhe ekonominë informale.
BOX
Studimi: Informaliteti në shifra marramendëse
Në raportin e parë të Institutit për Liri dhe Demokraci të Hernando de Sotos thuhej se Shqipëria ka shënuar arritje të dukshme gjatë tranzicionit drejt ekonomisë së tregut dhe sot bën pjesë në grupin e vendeve me të ardhura mesatare. “Rritja mesatare e GDP-së në 15 vitet e fundit është 5%. Inflacioni ka rënë në 101.4 % (1991) në 2.4 % në vitin 2006. Ndërsa deficiti fiskal ka zbritur nga 44 % (1991) në 3.6 % (2006). Në raport thuhet se vlera totale e aseteve ekstraligjore në Shqipëri arrin në shifra marramendëse. Kjo vlerë është disa herë më e lartë se totali i rezervave kombëtare, disa herë me e larte sesa asistenca dhe ndihma e huaj zyrtare dhënë Shqipërisë gjatë tranzicionit postkomunist. Në dokument theksohet se Shqipëria duhet të aktivizojë reforma që ngjallin këtë “kapital të vdekur.” Në raportin e ILD vlerësohen nismat e qeverisë shqiptare për të luftuar korrupsionin, informalitetin, përmirësimin e klimës së biznesit. Drejtori i Institutit për Liri dhe Demokraci pranë OKB-së, Hernando de Soto, deklaroi asokohe se Shqipëria trashëgoi një sistem ligjor që lë shteg për kaos, abuzim dhe korrupsion dhe se sfida e qeverisë shqiptare është zhdukja e burokracive që i kanë bërë ryshfetet të volitshme nga ana sociale. De Soto tha gjithashtu se Shqipëria ka asetet dhe energjinë sipërmarrëse për t’u bërë një ekonomi tregu më të vërtet moderne dhe gjithëpërfshirëse, si çdo ekonomi tjetër e Europës Perëndimore.
BOX
Platforma “De Soto”, 9 fazat për zgjidhjen e problemit
Sigurimi i bazës
1. Sigurimi i kuadrit ligjor dhe bazës logjistike, për të nisur procedurat e para të legalizimit që do të nisë së shpejti në zonat informale dhe formale në të gjithë territorin, ku janë identifikuar ndërtime pa leje, për shkak të prurjeve pas viteve ’90.
Fotografimi i territorit
2. Fotografimi në ajër i të gjithë territorit të Republikës së Shqipërisë, për të përcaktuar një hartë të qartë pas viteve ’93, e cila do të shërbejë për një studim të saktë të terrenit. Njëkohësisht do të njohë edhe ekspertët e huaj me terrenin.
Titujt e pronësisë
3. Dhënia e titujve të pronësisë së ligjshme, sektorit informal përmes legalizimeve dhe kapitalizmit, kjo do të specifikojë më mirë punën e ekspertëve dhe do të zgjidhë kufijtë mes pronës dhe ndërtimeve pa leje që janë bërë në një tokë, e cila ka një pronar.
E drejta e pronës
4. Njohja e plotë e të drejtës së pronës, duke përfshirë rehabilitim dhe kompensim të plotë të të gjithë pronarëve që nuk janë kompensuar ende, duke përfshirë edhe ata që janë privuar nga prona e tyre gjatë 50 viteve të diktaturës komuniste.
Sistemimi i territorit
5. Reformimi i sistemit të planifikimit dhe administrimit të tërë territorit me ndërtesa pa leje, duke u specifikuar më shumë në zonat ku edhe numri i ndërtimeve pa leje është më i shumtë në krahasim me ato zona ku nuk haset ky fenomen.
Identifikimi i pronave
6. Identifikimi i aseteve publike, si dhe përcaktimi i pasurive të cilat janë pronë private, pronë publike, e pronë e shtetit. Kjo procedurë zbardh një konflikt shumë të hershëm, i cili është diskutuar shpeshherë dhe nuk ka mundur ende të ketë një zgjidhje.
Pasuritë e paluajtshme
7. Evidentimi i pasurive të paluajtshme është një nga pikat kyçe, që do të jetë pjesë e rëndësishme e reformës së legalizimeve. Shumë shtetas disponojnë prona të paluajtshme, të cilat janë të ndërtuara edhe në zona ku është në projekt një zhvillim i rëndësishëm ekonomik ose një aktivitet tjetër i kësaj rëndësie.
Sqarimi i banorëve
8. Banorët të sqarohen nga qeveria e për ç’qëllim do të kryhet ligji, i cili synon në një farë mënyre edhe zhdukjen e varfërisë. Gjithashtu t’u shpjegohet edhe kostoja që duhet të shpenzohet gjatë periudhës që do të nisin reformat ligjore.
Avokati i Popullit
9 Krijimi i mundësive arbitrare nga Avokati i Popullit, i cili ka filluar punën për të bashkuar në këtë projekt të qeverisë edhe qytetarët. Kjo do të ndikojë që mos të ketë armiq nga palët, por që të ketë një partneritet mes dy palëve.
14 Maj 2008