Topalli u kërkon finlandezëve të investojnë në Shqipëri
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, u kërkoi ditën e djeshme gjatë një takimi, një grupi prej rreth 45 personalitetesh të larta të jetës ekonomiko-politike të Finlandës, që të investojnë dhe ta shohin me përparësi Shqipërinë. Topalli ftoi investitorët finlandezë të rrisin prezencën e tyre në vendin tonë, i cili pas reformave të mëdha fiskale po njeh një rritje të investimeve të huaja në një klimë shumë atraktive për biznesin. Nga ana tjetër Topalli vlerësoi rolin qe ka luajtur presidenti Ahtisari në procesin drejt pavarësisë së Kosovës, duke theksuar se ai gëzon një respekt dhe mirënjohje të veçantë nga kombi shqiptar. Në takimin me styre u diskutua gjerësisht mbi zhvillimet në Shqipëri, perspektivën Euro-Atlantike të vendit dhe hapat që po ndërmerren për t’u bërë sa më shpejt anëtarë me të drejta të plota në NATO dhe BE. “Jam shumë e kënaqur nga vizita juaj, tha zonja Topalli. Ardhja juaj në Shqipëri e bën më të prekshëm realitetin duke njohur nga afër vendin, qytetarët, kulturën europiane shqiptare”, -tha Topalli. Vizitorët nga Finlanda treguan interes për historinë e Shqipërisë, për drejtimet aktuale të politikës shqiptare dhe në mënyrë të veçantë për mundësitë për investime dhe turizëm në vendin tonë.
14 Maj 2008