Kryeparlamentari gjerman takon Ramën dhe Metën
Kryetari i Parlamentit të Gjermanisë, Norbert Lammert, ka zhvilluar dje takime të posaçme me kryetarin e PS-së, Edi Rama dhe kryetarin e LSI-së, Ilir Meta. Gjatë takimit me kreun e PS-së kryeparlamentari gjerman ka përshëndetur konsensusi politik në drejtim të reformave themelore integruese të vendit. Pas takimit kryetari i PS-së, Edi Rama, u shpreh për mediat se forca politike që drejton po përgatit një projekt-rezolutë për Kuvendin e Shqipërisë, në kuadër të pikëpamjes së Partisë Socialiste se Shqipëria duhet të aplikojë si vend kandidat për në BE, jo më vonë se vjeshta që vjen: “Unë mora përshëndetjen për konsensusin politik të arritur në drejtim të reformave dhe nxitjen për të vijuar në rrugën e bashkëpunimit mes palëve në funksion të aspiratave të popullit shqiptar për një integrim të shpejtë në NATO dhe në BE dhe ku nga ana tjetër rishtrova pikëpamjen tonë se Shqipëria duhet të aplikojë jo më vonë se vjeshta e ardhshme për të marrë statusin e vendit kandidat për në BE gjë për të cilën ne po përgatisim edhe një projekt-rezolutë për Kuvendin e Shqipërisë”, - u shpreh Rama. Ndërkohë, Lammert është takuar dje me kreun e LSI-së, Ilir Meta, i cili ka qenë i shoqëruar nga zëvendëskryetari i LSI-së, Pëllumb Xhufi dhe nënkryetari i LSI-së, Dritan Prifti. Pas këtij takimi, Meta shprehu kënaqësinë e takimit me kryeparlamentarin gjerman. “Dua të shpreh kënaqësinë për bisedën e hapur që patëm me të dhe njëkohësisht për një rikonfirmim të vijimit të këtij dialogu dhe këtij bashkëbisedimi, i cili shpresoj të jetë i frytshëm për të forcuar më tej marrëdhëniet ndërparlamentare midis dy vendeve tona. Njëkohësisht dhe për të përfituar eksperiencë nga parlamentarizmi gjerman për të shmangur autoritarizmin që vihet re gjithnjë e më shumë në Kuvendin e Shqipërisë, dhe përpjekjet që bëhen, sidomos nga Partia Demokratike dhe Partia Socialiste për t’i arritur marrëveshjet jashtë parlamentit, pavarësisht nga formalizimi në minutat e fundit në parlament”, - tha kreu i LSI-së, Ilir Meta.
14 Maj 2008