Rama-Meta, përplasje për çështjen e kufizimit të imunitetit
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, deklaroi dje se ishte dakord përsa i përket propozimit që kufizon imunitetin e deputetëve dhe zyrtarëve të lartë, si një veprim që do të shërbente për të luftuar nivelin e lartë të korrupsionit në vend. Por, nga ana tjetër, Rama theksoi se kufizimi i imunitetit nuk duhet bërë duke ndryshuar Kushtetutën. “Çështja e imunitetit, për të cilën ne e kemi deklaruar publikisht se jemi të hapur të diskutojmë, por e cila nuk mund dhe nuk do të jetë përsa na takon një çështje e veçuar nga diskutimi i thelluar i të gjithë problematikës së Paktit Kombëtar për Drejtësinë. Nuk do të jetë as një arsye për t’u rifutur në Kushtetutë, për një element të vetëm. Por do të jetë pjesë e një ndërhyrjeje më të gjerë, për të cilën duhet të ketë një diskutim të madh, publik dhe që duhet të vijë si rrjedhojë e asaj vetëdije që mishërohet në Paktin Kombëtar për Drejtësinë dhe atij angazhimi që forcat politike duhet të marrin për këtë pakt”, - deklaroi Rama.
Ndërkohë, kryetari i LSI-së, Ilir Meta, tha se nëse PD-ja e PS-ja kanë vullnetin për të kufizuar imunitetin, këtë gjë duhet ta kishin bërë në kohën kur ndryshuan Kushtetutën dhe jo tani, kur me ndryshimet e bëra kryeministrit Berisha i është dhënë imunitet dhe pushtet pakufi. “Ne habitemi pse nuk bënë ndryshimin në Kushtetutë për çështjen e imunitetit, natën e 21 prillit. Por, nga nxitimi siç duket do të kenë harruar ose akoma nuk ishin marrë vesh. Ne kemi thënë si LSI-ja që në fillim që duhet të na konsiderojnë pa imunitet, pavarësisht se ne e dimë që drejtësia në këtë vend ende nuk është e pavarur dhe pas natës së 21 prillit është edhe më e varur nga Ekzekutivi dhe nga kryeministri. Dhe ju e dini që kryeministri pas natës së 21 prillit ka marrë një super imunitet. Kështu që ai mund t’ua heqë imunitetin atyre deputetëve të tjerë për t’i pasur më shpejt në kontroll, por për fat të keq Berisha me ndryshimet që u bënë në natën e 21 prillit ka marrë një imunitet të jashtëzakonshëm dhe kjo është një fatkeqësi e madhe”, - tha Meta.
14 Maj 2008