E Diel, 1 Nëntor 2026

Gripi i derrave, 20 të prekur dyshohen dhe dy fëmijë

 

zirina llambro

Shkon në 20 numri i të prekurve nga gripi i derrave në vendin tonë. Instituti i Shëndetit Publik pranoi dje konfirmimin e 4 rasteve të reja me virusin A/H1N1. Përgjigjet erdhën nga laboratorët e Rumanisë. Të infektuarit e rinj janë nga Tirana.
ISHP nuk ka pranuar të japë detaje të tjera rreth gjendjes shëndetësore të pacientëve të prekur, por garanton se nuk kanë komplikacione serioze. “Vihet re, që për herë të parë, kemi 2 raste të dyshuara me A(H1N1), të grupmoshës pediatrike 5-14 vjeç”, thuhet në buletinin e ISHP. Deri tani për fat të mirë asnjë fëmijë nuk ka rezultuar i prekur. Për ta shërimi nga gripi është më i vështirë dhe pasojat mund të jenë më të mëdha. Por një handikap i madh është evidentuar në grumbullimin e mostrave prej të vegjëlve. Kjo në një kohë që urgjencat dynden çdo ditë me qindra raste, që shfaqin simptoma të ngjashme me ato të virusit të rrezikshëm. “Ka një numër të vogël mostrash të marra në moshën pediatrike, moshë mjaft e rëndësishme duke pasur parasysh që dhe numri më i lartë i infeksioneve respiratore paraqitet në këtë grupmoshë. Tërheqim vëmendjen e pediatërve dhe epidemiologëve në të gjithë vendin, por sidomos departamentit të pediatrisë pranë QSUT që të ndërgjegjësohen për rëndësinë e marrjes së mostrave në këtë grupmoshe”, thuhet në buletinin e fundit të ISHP. Specialistët e konsiderojnë të ulët numrin personave me grip që janë zbuluar. Sipas tyre të prekurit janë disa herë më shumë. Kjo pasi virusi qarkullon thuajse në të gjithë territorin e vendit. Aktualisht në laboratorin e ISHP po analizohen mesatarisht mbi 30 mostra çdo javë. Në këtë laborator kryhet testi i Imunofluoreshencës Direkte dhe testi i shpejtë që japin përgjigjen paraprake të identifikimit të virusit brenda 2 orësh.

Kujdes më tamiflunë, pasoja tek fëmijët
Përdorimi i medikamentit tamiflu kundër gripit të derrave mund të lërë pasoja të rënda në tru të fëmijët. Këtë pohojnë mjekët specialistë. Ata bëjnë apel që pa rekomandimin e bluzave të bardha të mos merret ky ilaç. Te fëmijët, ky ilaç shkakton probleme të rënda në sistemin nervor, atë kardiovaskular, në sistemin gastrointestinal, në mëlçi, veshka e të tjera. ”Tek grupmoshat pediatrike pasojat mund të jenë vërtet të rënda, prandaj prindërit duhet të tregohen sa më të kujdesshëm në përdorimin e tamiflusë, mbi të gjitha me ata”, sqarojnë specialistët. Sipas tyre, në varësi të gjendjes shëndetësore të secilit, është mjeku ai që përcakton dozën që duhet marrë, duke pasur parasysh efektet anësore që mund të japë ky medikament. Ata shtojnë se tamiflu përdoret vetëm për virusin A, pasi në rast të kundërt krijon rezistencë ndaj virusit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›