Italia, sistem masash për të mbrojtur Pirlon!
Mes 23 axurrëve, mesfushori juventin është ai që ka luajtur më shumë në këtë sezon, me 53 ndeshje dhe 4.722 minuta në fushë
Po, ka ndodhur. Pirlo gaboi në një ndeshje, që do të thotë se nuk shkon poshtë notës 5.5. Duket se një alarm i vogël ka rënë. Frika është që serbatori i Andrea Pirlos u bllokua ndaj Irlandës. Nëse do të jetë e vërtetë, të dielën Prandeli do të ketë telashe.
Telashe të mëdha, sepse Pirlo është gjysma e Italisë, madje diçka më shumë. E thotë fusha, por edhe shifrat e para të këtij Europiani: një gol dhe dy pasime për gol (për Di Natalen dhe Kasanon), nga katër gola të shënuar deri tani nga banda e Prandelit.
ÇESHTJE KLASI Pirlo është udhëheqësi im i heshtur, – thoshte Marçelo Lipi në prag të Botërorit në Gjermani para gjashtë vitesh. Ishte pastaj udhëheqësi i Milanit dy herë kampion i Europës me Ançelotin në stol, është udhëheqësi aktual i Juventusit kampion i Italisë.
Pra, Andrea nga Breshia është udhëheqësi natyral, i vetmi në botë seriozisht në gjendje për të luajtur titullar në mesfushën marsiane të Barcelonës. Për tu kuptuar mirë, me Pirlon 100%, mund të ëndërrohet diçka e jashtëzakonshme në këtë Europian. Pa të, është më e lehtë të shkohet menjëherë në shtëpi.
SI TË MBROHET E di mirë edhe Prandeli, që rreth yllit bardhezi ka ditur të ndërtojë një strukturë të besueshme dhe të fortë, pavarësisht se periudha nuk është nga më premtueset për futbollin italian, si teknikisht, ashtu edhe në nivelin e personalitetit.
Dhe në këtë kuptim, trajneri axurr ka detyrën absolute të mbrojë dhe të marrë masa për numrin një të padiskutueshëm të grupit. Si i dilet? Beh, Antonio Konte i ka huazuar skemën 3-5-2 juventine (sistemi i parapëlqyer i Andreas), me dy anësorë dinamikë që vrapojnë.
Por mund të mbështetet edhe me sasinë e lojës së një mbrojtësi anësor të krahut të majtë (Balcareti), ose me përfshirjen e Noçerinos pikërisht për Tiago Motën. Ose akoma me De Rosin në brendësi, Bonuçin si qendërmbrojtës i repartit me 3 dhe Ogbona në vend të të dëmtuarit Kielini. Të gjitha zgjidhje, së bashku me skemën 4-3-1-2 natyrisht, të cilat sigurisht që po i mendon Prandeli, një strateg i shkëlqyer deri tani.
MË SHUMË MINUTA Mes 23 axurrëve, Andrea Pirlo është ai që ka më shumë minuta në këmbë në këtë sezon. Një tjetër motiv për të monitoruar nga afër dhe lehtësuar sa më shumë të jetë e mundur situatën e regjisorit. Mes kombëtares dhe klubit, ka luajtur së bashku 53 ndeshje dhe 4.722 minuta, një mesatare prej 89 minutash për ndeshje.
Te Juventusi, sa për të cituar një shembull, ka lujtur 41 ndeshje (asnjë nuk ka luajtur si ai, e ndjek vetëm Barzalji me 39), të gjitha si titullar dhe vetëm dy herë është zëvendësuar: në minutën e 80-të në shtëpi kundër Novarës dhe në minutën e 87-të jashtë fushe me Leçen. Noçerino, i cili ka luajtur edhe në Champions me Milanin, ka më shumë ndeshje sezonale (57), por një minutazh më të ulët (4303′).
Më pak të aktivizuarit? Kasano (1828′), Xhakerini (1795′) e Borini (1778′).
100… GRUMBULLIME Gjashtë vjet më parë në Berlin, Fabio Kanavaro e pa veten të ngrejë Kupën e Botës në ndeshjen e tij të 100 me fanellën axurre. Pirlo është sot në kuotën 97, por nëse Italia do të dalë në finale, Pirlo mund të ndjekë hapat e Kanavaros, ndoshta edhe me një triumf.
