E Shtunë, 31 Tetor 2026

Partizani nis punën për sezonin e ri pa plan konkret

Nga ILIR CARA

Të kuqtë e kryeqytetit kanë kryer dje seancën e parë stërvitore, ku si fillim ka pasur mungesa, por shpresohet që korriku ti japë formën e duhur skuadrës

Pushimet kanë marrë fund për të kuqtë e kryeqytetit, pasi nga pasditja e djeshme kanë nisur përgatitjet e para për sezonin 2012-2013. Partizani i Kategorisë së Parë ka nisur me fytyrat e sezonit të fundit, por për stafin drejtues shpresohet që në ditët në vijim grupi të pasurohet, me shpresën për rikthimin e skuadrës në vendin që i takon.

Të mërkurën stafi teknik dhe futbollistët kanë kryer një mbledhje, ku është sqaruar situata, që mbizotëron te Partizani dhe është menduar që grupi të nisë përgatitjet, me shpresën se fillimi i korrikut do të sjellë lajme pozitive për të ardhmen.

Gjatë pasdites së djeshme, një pjesë e futbollistëve të sezonit të fundit në Kategorinë e Dytë kanë kryer seancën e parë, që ka qenë e karakterit atletik. Dje të kuqtë kanë kryer një seancë vrapimi nga Kodrat e Liqenit dhe mendohet se deri në fund të qershorit më shumë do të vrapojnë. Normalisht që, si seancë e parë, mungesat kanë qenë të dukshme.

Edhe trajneri Pelixhi ka marrë leje, por do të jetë prezent të hënën. Gjithashtu, disa nga lojtarët e sezonit të shkuar vijojnë pushimet, por ka edhe nga ata që e kanë shpallur divorcin. Për drejtuesit e skuadrës, e rëndësishme është se skuadra u dha fund pushimeve dhe përpos vështirësive, që mbeten aktuale, ka nisur përgatitjet.

Pra, mund të thuhet se ka nisur punë Partizani i sezonit të ri, por aktualisht ky fillim ka nisur falë dëshirës së stafit dhe futbollistëve, pasi nuk bëhet fjalë për një plan konkret. Nëse gjërat shkojnë ashtu siç flitet, në ditët e para të korrikut do të mësohet edhe plani i ringritjes së Partizanit të shumëkërkuar.

U-19 feston superligën Në sezonin e fundit i vetmi Partizan, që ka luajtur në nivele të larta ka qenë ekipi U-17, i cili bënte pjesë në superligën e kësaj grupmoshe. Fati e desh që në sezonin e fundit U-17 të luante në superligë, U-19 në Kategorinë e Parë, ndërsa ekipi i parë ishte në Kategorinë e Dytë.

Dy Partizanët që luanin në ligat inferiore dolët të parët duke siguruar ngjitjen një kategori më lart. Kështu në sezonin e ri Partizani U-19 i kthehet superligës dhe ky sukses i të rinjve është festuar në një nga lokalet e kryeqytetit. Nëse gjërat nuk shkojnë siç duhet për skuadrën e parë, nuk është çudi që një përfaqësi e këtij ekipi të rinjsh të veshë fanellën e Partizanit të parë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›