E Diel, 1 Nëntor 2026

This is a miracle...

… tha kryeministri shqiptar,z. Berisha,me rastin e marrjes së ftesës për anëtarësim të Shqipërisë në NATO. Mahnitja e kryeministrit shqiptar ishte shumë e sinqertë, saqë kësaj konference serioze i dha jetë, një ngjyrim njerëzor. Kjo klithje emocionuese është në përputhje të plotë me aspiratat shekullore të një populli të vetmuar, shpeshherë viktimë e politikave dhe pushtimeve të perandorive, apo të shteteve të përkrahura nga ato.

Siç dihet, të gjitha përpjekjet e deritashme që Shqipëria ta sigurojë paqennë kuadër të sistemeve globale të sigurisë, dështuan. Në fillim u bënë përpjekje që, duke krijuar raporte të afërta me Italinë, të krijojnë një sistem të përbashkët të sigurisë, por italianët e kuptuan ndryshe këtë ide. Musolini që thoshte se Shqipërinë e ka në zemër, e aneksoi atë, duke krijuar një perandori të përbashkët me Italinë, Abisininë dhe Shqipërinë. Kjo perandori e çuditshme krijoi vetëm probleme, ngaqë Shqipëria do të fajësohet për projektet hegjemoniste të Italisë. Pasojat ndihen sot e kësaj dite në marrëdhëniet e Shqipërisë me Greqinë. Gabimi i radhës ishte me Jugosllavinë, e cila, kinse duke modernizuar ushtrinë shqiptare e përgatiste terrenin për aneksim të Shqipërisë, për ta shndërruar atë në republikë të shtatë. Pas përjashtimit të Jugosllavisë prej Internacionales Komuniste (Kominternës), Shqipëria iu afrua tej mase Bashkimit Sovjetik dhe u bë anëtare e një sistemi të përbashkët të sigurisë, e Traktatit të Varshavës. Pas përkeqësimit të marrëdhënieve me sovjetikët, Shqipëria doli nga Traktati dhe kërkoi derman në aleancën me Kinën, por edhe kjo zgjidhje u tregua e brishtë. Më në fund, duke kuptuar pavarësinë si izolim të plotë, Shqipëria krijoi një sistem vetjak të mbrojtjes, që përpiqej t’i harmonizojë përvojat e deritashme të doktrinave të ndryshme ushtarake. Simbol i këtij koncepti u bënë bunkerët.

Pas kolapsit të ideologjisë komuniste, të formacioneve komuniste shoqërore, me demokratizimin e tyre, Shqipëria, mbase për herë të parë do të marrë lirshëm vendimin demokratik, të hapur që të anëtarësohet në NATO. Këtë vendim nuk e mori një klikë udhëheqëse, por i gjithë populli. Ky unitet shfaqej si në popull ashtu edhe në institucione, pa marrë parasysh përkatësinë etnike, fetare, politike, rajonale: shqiptarët, së bashku, gegë e toskë, të krishterë e myslimanë, socialistë e demokratë e mbështetnin këtë përcaktim, saqë NATO-ja u bë strumbullar i unitetit kombëtar.

Por, anëtarësimi kërkon ristrukturime, reforma të dhembshme që nënkuptonte reduktimin e numrit të oficerëve, pensionimin e tyre, kërkon standarde të larta. Ndonëse një pjesë e madhe të oficerëve dhe kuadrit përcjellës ishin në kulm të kapaciteteve, të aftësive intelektuale dhe profesionale, u desh që të pranonin largimin nga detyra. E gjithë kjo nuk krijoi tensionime në shoqëri, kështu që edhe ata kanë merita të jashtëzakonshme për këtë mrekulli.

Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO do të ketë disa efekte të pamohueshme: transformimin e shoqërisë sipas standardeve të NATO-s, garantimin e sigurisë, uljen e kostos për mirëmbajtjen e një sistemi ushtarak, krijimin e një ushtrie profesionale dhe mobile, bartjen njohurive më të reja shkencore, ndihmën në rast nevoje etj.

Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është fryt i angazhimit i gjithë subjektit politik, të gjitha institucioneve shtetërore dhe të gjitha shtresave të popullatës.

Një mrekulli tjetër me peshë historike, ishte edhe shpallja e pavarësisë së Kosovës, si dhe njohja e saj nga shtetet më demokratike të botës. Të gjithë ata që e njohin mirë situatën në Kosovë, nuk mund të gjejnë fjalë dhe argumente për të shpjeguar një happy-end të këtillë, sidomos në Ballkanin e trazuar. Publicisti i njohur britanik, ekspert për zhvillimet në këtë pjesë të Europës, Tim Judah, e cilësoi UÇK-në si formacion më të suksesshëm kryengritës në historinë e njerëzimit, ndërkaq z. Solana, pas çlirimit të Kosovës habinë e tij, ndonëse i implikuar thellë në këto ngjarje, e shprehu duke thënë: sikur të isha një alien që kundron nga lart situatën në Kosovë, nuk do të arrija të shpjegoja me çka Kosova e meritoi gjithë këtë angazhim të botës...

Kosova kaloi në disa faza që ishin prelud për epilogun mrekullueshëm:

Me demonstratat e vitit 1981 e nxiti procesin e testimit të vlerave dhe standardeve të Jugosllavisë, e cila nuk e dha provimin dhe u shthur; me krenari e duroi procesin e diferencimit ideo-politik dhe në vend që të përçahet, ajo u homogjenizua tërësisht. Procesin ehomogjenizimit e nisi prof. Anton Çeta, me idenë e organizimit të tubimeve të mëdha për pajtimin e gjaqeve; para ndryshimeve të dhunshme të Kushtetutës së Kosovës, në 1989, u hartua një peticion të nënshkruar nga 215 intelektualë, ku kërkohet të mos ndryshohet Kushtetuta. Ky ishte hapi i parë i një politike racionale, që, duke ikur nga provokimet e politikanëve dhe bashibozukut serb, arriti ta kursejë popullin nga mllefi përvëlues i politikës serbe; u orientua të kërkojë ndihmë vetëm nga shtetet evropiane dhe SHBA-ve, ngaqë vetëm ato shtete ishin demokratike dhe faktorë për zgjidhjen e problemeve të kësaj natyre; diti t’u ikë skenarëve që rezistenca kundër APJ-së (ushtrisë jugosllave) të fillojë në Kosovë, për të përfunduar në republikat tjera; krijoi sistemin paralel politik, financiar, arsimor, dhe shëndetësor dhe pak nga pak formonte njësitet ushtarake që në momentin e duhur do të fillonin me aksione ushtarake; ndërmori hapa të guximshëm diplomatikë; mori pjesë në konferenca ndërkombëtare kudo në botë, ndër ta më e rëndësishmja ishte ajo e Rambujesë; krijoi një spektër subjektesh politike, duke filluar nga ata të moderuar e deri tek ato radikal; dhe në momentin e përkeqësimit të imazhit serb filloi me aksione ushtarake etj.

Kundërshtarët e pavarësisë së Kosovës krijojnë iluzionin se ajo qenka bërë çështje vonë, pas shpërbërjes së Jugosllavisë, për shkak se strategët e NATO-s, paskan dashur që ta ulin rëndësinë e Serbisë dhe e paskan formuar një NATO shtet, ashtu si quan Kosovën ish-Kryeministri serb, Koshtunica. Por, këta politikanë apo analistë, me qëllime harrojnë se në ciklin e fundit të manifestimit të pakënaqësisë së shqiptarëve (1981-1999) NATO-ja ndërhyri në fund, kur filloi pastrimi etnik, gjenocidi. Në fillim, si NATO-ja, si UE-ja, ashtu edhe SHBA-tëpërkrahnin Jugosllavinë, derisa kuptuan se shpërbërja e saj është e pashmangshme.

Intervenimi i NATO-s ishte njëmend një mrekulli, por edhe shqiptarët udhëhoqën një politikë të mençur që ndërtoi shkakun për intervenim, për asgjësim të makinerisë ushtarake jugosllave, që arbitrarisht u përvetësua nga serbët dhe përdorej për shfarosje të popujve të tjerë të Jugosllavisë.

Viti 2008 njëmend ishte vit kthesë për shqiptarët, jo vetëm pse Shqipëria u anëtarësua në NATO dhe Kosova e shpalli pavarësinë, por edhe për shkak se shqiptarët, të lehtësuar nga barra e deritashme, gjithnjë e më tepër do ta fuqizojnë infrastrukturën e përbashkët shpirtërore dhe materiale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›