E Shtunë, 31 Tetor 2026

GND kunder ndarjes se Kosoves

Përfaqësuesit e 25 vendeve të cilat përbëjnë Grupin Drejtues Ndërkombëtar, pas takimit me liderët e institucioneve të Kosovës në Prishtinë, kanë ritheksuar qëndrimin e tyre kundër ndarjes së Kosovës, kanë mbështetur luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ndërkohë që kanë vlerësuar edhe progresin në procesin e decentralizimit.

“Ekziston një pajtim i plotë në Grupin Drejtues Ndërkombëtar se ndarja nuk është zgjidhje. Kështu që ne duhet të mundësojmë që veriu të jetë pjesë e procesit të stabilizim asocimit që është pjesë e perspektivës evropiane në mënyrë që Serbia dhe Kosova të mund të jenë pjesë e saj” deklaron Pieter Feith, Shef i ICO-s.

“Gjithmonë kemi thënë se asnjëherë nuk duhet të ndodhë që politika të përzihet dhe të diktoj në çështje që kanë të bëjnë me drejtësi sepse është fushë apo mandat i tyre që të zgjidhen të gjitha cështjet që shtrohen para tyre, dhe kjo do të thotë që asnjëherë të mos merr karakter të politizimit të proceseve” shprehet presidenti i Kosoves, Fatmir Sejdiu.

“Sundimi i ligjit është njëra nga sfidat kryesore për Kosovën. Nuk do të lejohet interferimi politik në këtë drejtim, do të punohet maksimalisht që të jemi në vijën që na takon si institucionet të Republikës së Kosovës pasi që kemi ndërtuar kapacitetet, kemi fuqinë që të marrim vendime dhe përgjegjësi që na takojnë duke çmuar dhe vlerësuar rolin mbështetës të gjithë mekanizmave ndërkombëtar në këtë drejtim edhe të ICO-së dhe EULEX-it” thotë kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi.

Përfaqësuesit e Grupit Drejtues Ndërkombëtarë kanë vizituar edhe komunën e re të Gracanicës, me shumicë serbe, ku janë pritur nga kryetari i saj, i dalë nga zgjedhjet e fundit lokale, Bojan Stojaniviç.

Bul Salihu

< I mëparshmi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›