E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grupi F, Italia nisme barazim mbrojtjene titullit

AFRIKE E JUGUT- Italia e ka nisur me një barazim mbrojtjen e titullit kampion bote të fituar në vitin 2006. Skuadra e Marçelo Lipit ka arritur të dalë me një pikë nga ajo që mund të konsiderohet si sfida më e fortë për të në grupin F të Botërorit 2010, ndonëse në pjesën e dytë ka treguar disa gjëra të mira në fushë. Nuk pritet shumë nga kjo Itali, duke parë se emrat e mëdhenj mungojnë, megjithatë të kaltërit treguan se mbeten një “kockë e fortë” në Kupën e Botës. Edhe këtë herë italianët nisin të reagonin pasi pësuan golin e parë, ndërsa e përmirësuan lojën vetëm në pjesën e dytë.
Ndeshja ka nisur me dy skuadra të kujdesshme, por amerikano-jugorët janë mbrojtur mirë, duke mos u lënë hapësira sulmuesve italianë. Minuta e 39-të sjell golin e avantazhit për Paraguajn. Krosi i ardhur pas një goditje dënimi nga mesfusha u shfrytëzua mjaft mirë nga Alkaraz, që fitoi duelin me Kanavaron, duke e dërguar topin në rrjetën e Bufon. Në pjesën e dytë, Lipi nxorri nga fusha portierin e Juventusit për një problem muskular, duke futur në vend të tij atë të Kaljarit Marketi. Ndonëse pa shumë bujë, të kaltërit arritën të barazonin shifrat në minutën e 63-të, pas një gafe të portierit të Paraguajt Justo Vilar. Ai doli gabim pas një goditje këndi dhe De Rosi arriti ta shtyjë topin në rrjetë vetëm 2 metra larg vijës fatale. Më pas, në fushë kanë qenë vetëm kampionët e botës, që e kanë kontrolluar ndeshjen, por për t’u regjistruar vetëm dy gjuajtje nga larg të Simone Pepes dhe Rikardo Montolivos. Italia mori pikën e parë në grupin F, ndërsa tani i duhet të luajë dy sfida më të lehta, me Zelandën e Re më 20 qershor dhe me Sllovakinë më 24 qershor.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›