E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tragete jashtë linje për të përballur fluksin

21/12/2008  Porti i Durrësit, përpunohen 8 tragete në pak orë. Zbarkojnë 8400 emigrantë e turistë

Në shërbim dhe gatishmëri të plotë të gjithë operatorët

Xhevahir Gradica

DURRES - Nga mëngjesi i së shtunës deri në orët e pasdites tetë tragete janë përpunuar në portin e Durrësit duke “zbarkuar” një numër shumë të madh emigrantësh dhe turistësh. Fluksi i nisur që fundin e javës tjetër ka vënë në lundrim edhe tragete të tjera, që përshkojnë linjën Bari–Durrës dhe anasjelltas vetëm në ditë dhe kohë piku me udhëtarë.

Udhëtarët

Mëngjesin e ditës së djeshme kanë prekur terminalin e udhëtarëve në portin e Durrësit 5700 udhëtarë, pjesa më e madhe e të cilëve janë emigrantë që vijnë në fund të vitit në shtëpitë e tyre. Fluksi ka vënë në shërbim dhe gatishmëri të plotë të gjithë operatorët në portin e Durrësit dhe përpunimi i tyre është realizuar në një kohë shumë të shpejtë. Në kapitenerinë e portit të Durrësit është thënë se vetëm ditën e shtunë në portin e Durrësit do të përpunohen tetë tragete. Pesë të parët: “Flaminia”, “Apollon”, “Venezia”, “Rigel”, “Riviera Adriatica” janë vendosur njëherësh në radhë në terminalin e trageteve dhe në pak minuta kanë tejmbushur sheshin e trageteve me udhëtarë, kamionë e autovetura. Vijëzimi dhe vendosja e shiritave orientues kanë lehtësuar të gjithë praktikën, duke u lehtësuar punën edhe efektivave të sigurisë portuale dhe të shërbimit të policisë. Të pesë tragetet janë nisur nga porti i Barit dhe kanë prekur kalatën e përpunimit rreth orës 8:30-90:10. Në kapiteneri është thënë se deti ka qenë i qetë dhe kjo ka ndihmuar në ardhjen në kohë të tyre, ndërsa 3 tragete të tjera janë ankoruar në orën 15:40.

Si operohet në ditët me fluks të lartë

Dje në portin e Durrësit janë përpunuar në mëngjes dhe në drekë afro 8400 shtetas dhe 1650 automjete. Kapiteneria e portit të Durrësit, e cila kryen edhe praktikat e rastit, ka pohuar se në ditë fluksi në itinerarin Bari–Durrës dhe në kthim hyjnë në linjë edhe tragete të kompanive që afrojnë këtë shërbim vetëm në ditë të tilla. Konkretisht tragetet “Riger”, “Riviera Adriatica” dhe “Penelopa” shfaqen në brigjet shqiptare në pikun e kërkesës së lëvizjes së emigrantëve shqiptarë respektivisht në brigjet drejt Pulias dhe Durrësit. Oficerë të shërbimit të kapitenerisë kanë pohuar gjithashtu se edhe nesër do të ketë së paku tetë tragete që do të futen në brigjet e Durrësit. Të gjitha tragetet e mëngjesit janë kthyer për në Bari me qëllim që të lundrojnë në mëngjes drejt Durrësit.

Asnjë kompani lundrimi nuk rriti çmimet

Ajo që ka rënë në sy këto ditë është fakti se asnjë kompani lundrimi nuk ka rritur çmimin e biletave dhe se në terminalin e udhëtarëve nuk ka pasur asnjë lloj shqetësimi lidhur me mbingarkesën në mjediset e brendshme. Të premten janë përpunuar 2150 udhëtarë shqiptarë, 550 të huaj dhe 810 autovetura, ndërkohë që e shtuna ka regjistruar fluksin më të madh. Kapiteneria e portit ka bërë të qartë se në terminalin e Durrësit mund të sistemohen deri në 5 tragete dhe se kombinimi i orareve shmang radhët e gjatë dhe pritjet e pajustifikuara. Të mësuar me vonesa, pritje e çmime të kripura, këtë vit udhëtarët kanë mbërritur të panervozuar, çka ka bërë që të shprehen të kënaqur për shërbimin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›