E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lajla Përnaska i shtohet garës për PD e Tiranës

 

BLEDAR HOTI

Listës së pretendentëve për kreun e PD-së së Tiranës i shtohet edhe deputetja Lajla Përnaska. Deputetja e zonës 38 të kryeqytetit është propozuar nga grup-seksionet e PD-së për të qenë kandidate për kreun e PD-së së Tiranës. Deputetja që dikur ka aderuar në listat e PR-së në zgjedhjet parlamentare të vitit 2005, ka gjetur mbështetje në propozimet e grup-seksioneve të demokratëve të Tiranës për të qenë në garën drejtuese e një prej degëve më të rëndësishme të PD-së. E pyetur nga gazeta "Panorama", Përnaska deklaron se, "është vënë në dijeni të këtij propozimi të bërë nga një pjesë e strukturave të PD-së të zonës elektorale numër 38". "E vlerësoj shumë një gjë të tillë. Propozimet e bëra i vlerësoj. Kjo tregon se gara për PD-në e Tiranës do jetë e hapur dhe do të sjellë mbi të gjitha prurje të reja në këtë parti", deklaroi Përnaska. Ndërsa në ditët e ardhshme pritet të shtohen kandidaturat për PD-në e Tiranës.
Rivalët
Në këtë betejë për kryeqytetin pritet të ketë një fluks të madh pretendentësh. Pretendentët për PD-në e Tiranës tashmë shkojnë gjithsej në katër. Gjergj Bojaxhi, Besnik Mustafaj, Edi Paloka dhe së fundmi, Lajla Përnaska. I pari që e shpalli kandidaturën ishte deputeti i PD-së, Besnik Mustafaj. Rreth dy muaj më parë, ish-ministri i Jashtëm shpalli synimin e tij për të kandiduar. Pas këtij në skenë për këtë garë doli emri i drejtorit të KESH-it, këshilltarit demokrat në Bashkinë e Tiranës, Gjergj Bojaxhi. Ndërsa deputeti Edi Paloka në deklaratë për median u shpreh se "do të presë propozimet e bazës së PD-së për të vendosur nëse do të kandidonte ose jo". "Faza për të shpallur kandidaturën nuk ka ardhur ende, pasi në këto momente janë duke u zhvilluar mbledhjet e seksioneve në të gjithë Tiranën dhe, sipas statutit të Partisë Demokratike, janë këto seksione që duhet të propozojnë kandidaturat edhe për kryetarin e degës. Unë po pres dhe e mirëpres që seksionet e PD-së të më propozojnë si kandidat dhe sipas statutit është kryesia e PD-së që pas konsultimeve dhe analizave vendos cilët do jenë kandidatët zyrtarë. Nëse do e shoh që jam propozuar mjaftueshëm, pra nëse baza do e kërkojë kandidimin tim, do të konsultohem edhe me kryetarin e partisë dhe më pas do futem në garë", u shpreh Paloka. Ndërsa ky proces ende nuk ka përfunduar, ku pranë selisë së PD-së po depozitohen propozimet e të gjitha seksioneve për të realizuar më pas grupimin e të gjitha propozimet që kanë bërë demokratët e Tiranës. Në fillim të muajit janar pritet të nisë procedura për kryetarin e PD-së së Tiranës, post i cili mbahet nga ana e ministrit të Transportit, Sokol Olldashi. Parashikohet që procesi i rinovimit të strukturave të PD-së të realizohet përpara zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2009, që mund të mbahen në muajin qershor. Në mars të vitit të ardhshëm, PD-ja mund të përmbyllë procesin e zgjedhjes së strukturave të reja.

Kandidatët

    Besnik Mustafaj

    Edi Paloka

    Gjergj Bojaxhi

    Lajla Përnaska

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›