E Diel, 1 Nëntor 2026

Gabimet e gjendjes civile në kompjuter krijojnë sërish radhë për certifikatat

Printimi i certifikatave verifikohet më parë në regjistrin themeltar  
As certifikatat e printuara, nuk i dhanë fund radhëve të stërgjata dhe stresit të qytetarëve, pranë sporteleve të gjendjes civile. Në sportelet e zyrave të gjendjes civile të Njësisë Bashkiake Nr. 3, 4, dhe 1, në çdo ditë të javës, qytetarët e kanë tepër të vështirë për të marrë një certifikatë. Megjithëse u bë zhurmë e madhe për certifikatat e kompjuterizuara, të cilat do të eliminonin radhët e gjata me shpejtësinë e shërbimit, qytetarët e Tiranës ende presin disa orë në radhë për t' u pajisur më një certifikatë. Vonesat në marrjen e një certifikate shkaktohen për disa arsye. Së pari, edhe pse sistemi i ri i certifikatave ka disa muaj që është aplikuar, punonjësit e zyrave të gjendjes civile nuk janë përshtatur plotësisht me këtë sistemin, gjë e cila ngadalëson ritmit e punës dhe ul cilësinë e saj. Së dyti, çdo certifikatë e printuar, verifikohet ende në regjistrat themeltarë të vjetër. Ky proces, vonon pajisjen me certifikatë të qytetarit ashtu si më parë, kur certifikatat plotësoheshin me shkrim dore. Verifikimi i certifikatës me regjistrin e vjetër ku gjendet emri i qytetarit, bëhet me qëllim që të shmangen gabimet teknike, sepse punonjësit e gjendjes civile, nuk kanë besim se të dhënat që janë hedhur në kompjuter, janë të sakta. Meqenëse në vendin tonë, ende certifikata është dokumenti bazë i domosdoshëm për të marrë  çdo shërbim shtetëror dhe për identifikimin e personit, qytetarët që janë të detyruar të pajisen me këto dokument, janë të shumtë, madje, në një kohë fare të shkurtër. Megjithatë, aplikimi për tu pajisur me kartat e reja elektronike kërkon disa të dhëna personale, në të cilat certifikata është e domosdoshme. Kjo ka bërë që kohet e fundit të rritet numri i qytetarëve, të cilët kërkojnë certifikata. Kështu, ai që duhet të marrë një certifikatë, duhet të braktisë një ditë punën e tij, pasi radhët e gjata pranë sporteleve të pakta, kërkojnë, kohë, sakrificë dhe durim të madh. Pasi pagova taksën e pastrim-gjelbërimit dy ditë më parë, kam ardhur sot për të marrë një certifikatë sepse dua të aplikoj për kartën e identitetit. Ka 3 orë që pres në radhë. Punonjësit e zyrës, vonojnë deri në 20 minuta për të dhënë një certifikatë. Këtu duhet të qëndrojmë në këmbë, sepse nuk kemi ku të ulemi. Radha nuk respektohet, kush të jetë më i fuqishmi hyn i pari, u shpreh Albana Stafsula, banore e Njësisë Bashkiake Nr. 4. E njëjta situatë kaotike paraqitet edhe njësitë e tjera bashkiake. Punonjësit e gjendjes civile, shprehen se me sistemin e ri të certifikatave, puna e shërbimit të tyre është vështirësuar shumë. Për çdo person që kërkon certifikatë, përveç të dhënave në kompjuter, ata duhet të shfletojnë nëpër duar 3-4 regjistra të vjetruar, derisa të verifikojnë emrin e qytetarit në fjalë. Reforma në sistemin e gjendjes civile, jo vetëm që nuk ka sjellë asnjë përmirësim në shpejtësinë dhe cilësinë e shërbimit për pajisjen e qytetarëve, por madje e ka ndërlikuar mos më keq këtë shërbim.    
Problemet teknike të certifikatave
Ndërkaq, përveç kohës  për të marrë një certifikatë, qytetarët ankohen edhe për gabimet e shumta shkrimore që karakterizojnë certifikatat e kompjuterizuara. Ndeshen mjaft raste ku të dhënat e qytetarëve në regjistrin e vjetër, janë hedhur me gabime në sistemin e kompjuterizuar dhe, që të ribëhet edhe një herë nga e para rishikimi dhe korrigjimi i të gjithë emrave, është një punë mjaft e vështirë. Për një gabim drejtshkrimor që i ishte bërë mbiemrit tim në certifikatë, ambasada Italiane më ka anuluar bashkimit familjarë. Tashmë, për këtë arsye jam i detyruar të ribëj edhe një herë një sërë dokumentesh, për bërë bashkimin familjarë. Ka dy muaj që sorollatem me këtë problem. Kjo certifikatë e pasaktë më ka hapur probleme të mëdha, si në kohën e shkuar dëm ashtu dhe në shpenzimet financiare, u shpreh për gazetën SOT Ylli, i cili qëndronte në Itali prej disa vitesh. Probleme të shumta gjatë marrjes së certifikatave, kanë pasur edhe personat e ardhur kohët e fundit nga rrethet, të cilët kanë bërë pasaportizimin në Tiranë. Të dhënat e identitetit të tyre, ndryshojnë nga regjistri i gjendjes civile në rrethin ku kanë lindur, në regjistrin ku kanë bërë pasaportizimin.

*************************************************************************
Regjistrat e vjetër deformojnë të dhënat e shtetasve në kompjuter
Për shkak të vjetërsisë së tyre, regjistrat e gjendjes civile në njësitë bashkiake të kryeqytetit janë dëmtuar, duke e bërë në disa raste të pamundur deshifrimin e të dhënave të qytetarëve. Meqenëse, të dhënat e qytetarëve janë shënuar me shkrim dore, boja e shkrimit fshihet dhe deformohet gjatë shfletimit të shumtë të regjistrave. Kjo është një arsye tjetër, e cila ka krijuar pasaktësi në hedhjen e të dhënave të shtetasve në sistemin e kompjuterizuar. Kështu shumë emra të gjinisë mashkullore janë kthyer në gjininë femërore dhe anasjelltas, ndërkaq, ka persona, të cilët figurojnë të regjistruar në më tepër se dy regjistra të gjendjes civile. Në ato rrethe, ku ka pasur dyndje të mëdha të popullsisë, ka më shumë dublime emrash dhe regjistrim në më shumë se dy regjistra të gjendjes civile. Gjendja e regjistrave të gjendjes civile, më problematike paraqitet në Bashkinë Kamëz, si dhe në rrethet Vlorë dhe Paskuqan. Regjistrat e vjetër, te grisur e dalë boje, kanë bërë që, informacioni i hedhur në memorien elektronike te rrjetit kompjuterik, të jetë i pasaktë dhe problematik për qytetarët. Pasaktësia dhe gabimet e mëdha në të dhënat e identitetit të shtetasve, në memorien elektronike, ka qenë dhe është ende objekt debatesh dhe kontestimesh politike në vendin tonë.

Last Updated on Wednesday, 18 March 2009 16:35

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›