Meta: Qeveria të subvencionojë kartat e identitetit për qytetarët e varfër

Lideri i LSI takoi dje misionin e ODIHR-it, i cili po zhvillon prej ditësh takime me faktorë politikë në opozitë dhe në mazhorancë, si dhe ato të Qeverisë për arritjen e standardeve për zgjedhjet e 28 Qershorit. Menjëherë pas takimit Meta dha një konferencë për shtyp lidhur me atë çka u bisedua me përfaqësuesit e ODIHR-it. Pas këtij takimi, kreu i LSI, Meta dha alarmin, duke i bërë thirrje Qeverisë që të subvencionojë kartat e identitetit për qytetarët shqiptarë, sidomos për ato kategori dhe ato shtresa, të cilat jetojnë në kushte tepër kritike të varfërisë, si pasojë e shtrenjtimit të kostos së jetesës,
dhe për të cilat pajisja me një kartë identiteti është shumë e kushtueshme dhe vetëm në këtë mënyrë do të ketë mundësi që të respektohet kodi aktual. Meta tha se përfaqësuesit e ODIHR-it kanë shprehur vullnetin e tyre për monitorimin e vazhdueshëm të zgjedhjeve, që nga përgatitjet paraprake, e deri në ditën përfundimtare. Lideri Meta e vuri theksin tek vonesa e jashtëzakonshme, që u bë për miratimin e Kodit Zgjedhor,sipas tij thjesht për interesa të ngushta të lidershipëve të dy partive. Ai shtoi se kjo ka sjellë tashmë një kolaps përsa i takon pajisjes së qytetarëve shqiptarë me karta identiteti. Meta tha se demagogjia e Berishës jo vetëm që nuk është më e tolerueshme, por është një rrezik tepër serioz për garantimin e këtij standardi elementar që garanton, të paktën, pjesëmarrjen e të gjithë qytetarëve shqiptarë në votime. Lidhur me pyetjen, nëse e mbështet propozimin e bërë nga PS për karta identiteti falas, Meta i ka qëndruar besnik idesë së tij të hedhur prej disa muajsh. Qeveria duhet të angazhohet, përmes një fature të caktuar, për të subvencionuar kartat e identitetit për të gjithë ata qytetarë, për të cilët është e pamundur nga pikëpamja e kostos që përfaqëson një kartë, dhe që të jenë të motivuar për të shkuar për tu pajisur, në kohën tepër të kufizuar që ka mbetur në dispozicion, theksoi Meta. Nëse do të pranonte ardhjen në skenë të certifikatave të reja nga Qeveria, duke qenë se ky proces do të dështonte, Meta u shpreh se ne prej kohësh kemi paralajmëruar mungesën e vullnetit politik të dy palëve për zgjedhje të ndershme e të lira në Shqipëri. Kemi paralajmëruar që këto dy palë synojnë zgjedhje me marifete dhe jo zgjedhje me standarde, dhe nuk do të habiteshim për çdo lloj skenari që do të paraqitej në kurriz edhe të atyre pak standardeve, që kanë ngelur pa u shkelur deri tani. Meta bëri të ditur se i kemi kërkuar edhe ODIHR-it, që përveç raportit, të propozojë dhe zgjidhje konkrete, përderisa OSBE ka dhënë garancitë dhe në atë Kod, pavarësisht nga cënimi i disa prej rekomandimeve të saj për zgjedhjet, që të kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Last Updated on Wednesday, 18 March 2009 23:04
Last Updated on Wednesday, 18 March 2009 23:04