E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gabimi i shokëve prangos grabitësin e emigrantit

Arrestohet nga policia një nga personat e dyshuar si autor i grabitjes me armë të shqiptaro-amerikanit Egland Muka në aksin kombëtar Tiranë. 

Dashamir Biçaku

Ilir Dajti, 24 vjeç, banues në lagjen periferike të Tufinës, në verilindje të Tiranës, është arrestuar nga policia me akuzën e vjedhjes me armë në bashkëpunim. Policia tha se, Ilir Dajti është person me precedentë të mëparshëm në fushën e vjedhjeve. Ai është arrestuar nga seksioni i vjedhjes së automjeteve në Tiranë me akuzën e grabitjes me armë në bashkëpunim me dy persona të tjerë tashmë të shpallur në kërkim. I dyshuari është kthyer 48 orë më parë nga policia greke si deportiv në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës, pasi ishte kapur nga policia fqinje në territorin grek si emigrant klandestin. Sipas policisë, ai kishte mbërritur në policinë e Korçës, të cilët kanë nisur verifikimet ndërsa kanë komunikuar me policinë e Tiranës nëse ky person kishte precedentë në kryeqytet. Pas verifikimeve policia e Tiranës ka pohuar se 24-vjeçari Dajti, nga Tufina, ishte i kërkuar si person i dyshuar për grabitjen me armë të një emigranti shqiptaro-amerikan. Pas konfirmimit se personi i depërtuar nga policia greke ishte i kërkuar nga policia e Tiranës, blutë e Korçës i kanë vënë prangat. Më pas në Tiranë të arrestuarit i është komunikuar akuza e grabitjes në bashkëpunim dhe me armë e automjetit të 39-vjeçarit Muka. Autorët e kësaj grabitje veç makinës fuoristradë “Benz-ML” i morën emigrantit edhe 5 milionë lekë të vjetra 500 dollarë e 50 euro, si dhe dy telefona celularë.
Si u zbulua krimi
Grabitja ndaj shqiptaro-amerikanit kur ai ishte bashkë me gruan e tij, ndodhi mesnatën e 5 majit, duke u gdhirë data 6 maj e këtij viti, kur Muka sapo kishte përfunduar së ngrëni një darkë. Bashkëshortët kanë marrë mjetin dhe më pas kanë ecur për rreth 200 metra nga lokali ku kishin darkuar. Ata kanë ndaluar makinën në anë të karanxhatës. Menjëherë sapo emigranti shqiptaro-amerikan ka ndaluar mjetin e tij fuoristradë “Mercedez-Benz” ML, tre persona me armë dhe me maska në kokë, kanë dalë dhe i kanë vënë armët në kokë çiftit që udhëtonte me mjetin me targa CKA 126 Florida. Çifti është detyruar të kalojë në bagazh, ndërsa të tre personat kanë hipur në makinë dhe kanë udhëtuar duke ikur prej rrugës kryesore. Gjatë këtij veprimi, drejtuesi i mjetit ka rrezikuar në një pjesë të rrugës për të dalë prej saj me makinën e emigrantit. Në këtë moment një prej grabitësve i ka folur në emër drejtuesit të mjetit për të bërë kujdes. Po kështu edhe gjatë rrugës dyshuarit kanë biseduar mes tyre duke artikuluar emrat e secilit. Këto janë regjistruar nga emigranti Muka dhe gruaja e tij dhe i janë referuar policisë pak kohë pas ngjarjes. Sapo kanë mbërritur në një distancë rreth 300 metra nga rruga, të dyshuarit kanë zbritur çiftin, duke i detyruar të qëndronin larg aksit kryesor. Mjeti është braktisur dy ditë më vonë në fshatin Zall-Herr të Tiranës, ku edhe është gjetur e verifikuar nga policia. Gjatë këqyrjes, hetuesit kanë gjetur gjurmë dhe prova të tjera të vlefshme, që sipas burimeve mund të shërbejnë në dokumentimin e ngjarjes së muajit të kaluar në kryeqytet.

Gabimi me shqiptimin e emrave
Emigranti i dëmtuar dhe bashkëshortja e tij kanë dëgjuar grabitësit, që flisnin me njëri-tjetrin, duke shqiptuar emrat e tyre. Këta emra janë depozituar prej të dëmtuarve në polici. Pas deklarimeve të dhëna në polici nga të dëmtuarit blutë kanë kryer kontrolle në banesat e të dyshuarve, ndërsa ata nuk janë gjetur në banesë. Policia menjëherë shpalli në kërkim tre personat e dyshuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›