E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Tiranë, Gjykata e Apelit zvarrit 18 seanca korrigjimin e gabimeve të saj”

TIRANE – Gjykata e Apelit në Tiranë prej më shumë se një viti është duke zvarritur korrigjimin e një vendimi të dhënë prej saj, i cili është konstatuar se ka pesë gabime në shkrim dhe 6 pasaktësi që shtrembërojnë realitetin. 

Palët e interesuara i janë drejtuar gjykatës më tepër se një vit më parë, me një “kërkesë për ndreqje gabimi” në vendimin e dhënë nga vetë gjyqtarët e Apelit, për shkak se vendimi gjyqësor është i pazbatueshëm në këto kushte. Mirëpo, për 18 seanca me radhë, Gjykata e Apelit ka zvarritur fillimin e shqyrtimit gjyqësor për të realizuar ndreqjen e gabimeve të bëra në zbardhjen dhe formulimin e vendimeve nga vetë gjyqtarët. Për këtë çështje, i interesuari Aleko Afezolli, më 20 maj 2008 ka hartuar një letër, të cilën e ka dërguar në adresë të ministrit të Drejtësisë Enkelejd Alibeaj dhe nënkryetarit të KLD-së Kreshnik Spahiu. Në ankesën e tij ai shprehet se, vendimi i datës 22 shkurt 2007 i Gjykatës së Apelit përmban pesë gabime në shkrim dhe gjashtë pasaktësi që e shtrembërojnë realitetin, duke bërë vendimin të pazbatueshëm. Ankuesi thotë se ka bërë kërkesë në Gjykatën e Apelit për ndreqje gabimi, por prej 18 seancave përgatitore të zhvilluara për më tepër se një vit, Gjykata e Apelit nuk pranon të fillojë procesin, herë me argumentin e ndryshimit të trupit gjykues, herë me pretendimin e mungesës së palëve në proces dhe së fundi, me pretendimin se dosja mbi të cilën është bazuar vendimi, tashmë ndodhet për rekurs në Gjykatën e Lartë. Aleko Afezolli ka kërkuar ndërhyrjen e krerëve të institucioneve të drejtësisë për vendosjen në vend të së drejtës së tij pas zvarritjeve më tepër se 1-vjeçare nga Gjykata e Apelit në Tiranë.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›