Gaddafi ikën te Chavez, avionë kundër protestuesve
Tripoli – Dy avionë ushtarakë libianë janë ulur në Maltë mbrëmjen e së hënës, duke detyruar Italinë të futet në gjendje gatishmërie. Pilotët, sipas BBC-së, Al Jazeera-s dhe agjencive të tjera të lajmeve, u kanë deklaruar autoriteteve malteze se kanë dezertuar për të mos iu bindur urdhrit që kishin marrë për të qëlluar mbi protestuesit. Njëri prej tyre, sipas BBNC-së, ka kërkuar azil politik. Agjencitë e lajmeve nga kryeqyteti i Libisë njoftojnë për situatë dramatike në vend si edhe për lajmin ende të pakonfirmuar zyrtarisht të largimit për në Venezuelë të udhëheqësit libian Gaddafi. Bëhet e ditur se demonstruesit i kanë vënë zjarrin ndërtesës së Parlamentit dhe një stacioni policie, si dhe është sulmuar televizioni shtetëror, kurse numri i viktimave në përballjen mes forcave qeveritare e turmave po rritet. Mediat egjiptiane transmetojnë se kundërshtarët e Gaddafit kanë marrë aeroportin e Tripolit. I biri i Gaddafit, Saif al-Islam, për të cilin thuhet se ka marrë kompetencat e të atit, ka tërhequr vërejtjen për luftë civile. Demonstratat kanë shpërthyer edhe në qytetin e Libisë, Ras Lasnuf, ku ndodhet rafineria e naftës. Në një fjalim televiziv, djali i liderit libian, Muamer Gadafi, paralajmëroi për luftë qytetare, e cila, siç tha, do ta djegë pasurinë e naftës të vendit. Sai al-Islam Gadafi, po ashtu, tha se armata do ta përforcojë me çdo çmim sigurinë në vend. Sipas grupeve për të drejtat e njeriut, dhuna tashmë ka marrë më shumë se 200 jetë. Një qetësi e pazakonshme u kthye në rrugët e Tripolit, pasi protestuesit antiqeveritarë demonstruan deri në agim, duke e sfiduar paralajmërimin se presidenti i Libisë, Moamer Gadafi, do ta luftojë revoltën deri “te njeriu i fundit”. Trazirat u përhapën gjatë natës nga qyteti jugor Bengazi, djepi i revoltës kundër sundimit 42-vjeçar të Gadafit. Të shtëna nga armë zjarri u dëgjuan kur protestuesit u përleshën me policinë dhe mbështetësit e Gadafit. Demonstruesit i shkatërruan zyrat e dy mediave shtetërore dhe u vunë zjarrin disa ndërtesave publike, përfshirë sallën ku mbahen mbledhjet e Parlamentit. Në Bengazi, protestuesit duket se e kontrollojnë pjesën më të madhe të qytetit, pasi i detyruan trupat dhe policinë të tërhiqen në kazermë. Sipas Human Rights Watch, të paktën 233 njerëz kanë vdekur që nga e enjtja kur shpërthyen protestat. Djali i Gadafit u shfaq gjatë natës në televizionin kombëtar, në përpjekje për t’i qetësuar trazirat e frymëzuara nga kryengritjet popullore që përmbysën presidentët e Tunizisë dhe Egjiptit.