E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS heq dorë nga protestat, Rama nis turin në bazë

SHKRUAN: Fejzi Braushi 22-02-2011 10:13

TIRANË- Partia Socialiste heq dorë përkohësisht nga protestat dhe angazhohet në një tur në bazë, për të diskutuar mbi situatën politike dhe zgjedhjet e ardhshme vendore. Burime nga selia rozë kanë bërë të ditur dje se, të paktën për këtë javë nuk do të ketë protesta, ndërsa kreu socialist do të angazhohet në një seri takimesh në bazë, që do të nisin nga Elbasani, ditën e premte. Megjithatë, kjo duket se do jetë vetëm një pauzë për sa i përket tubimeve të opozitës, pasi vet kreu socialist, Edi Rama, ka konfirmuar se koalicioni që ai drejton nuk do të ndalet në rrugën e protestave, deri sa Kryeministri Sali Berisha të largohet nga pushteti.

Turi

Partia Socialiste ndryshon strategji dhe nga protestat kalon tek takimet me bazën. Për rrjedhojë, këtë javë nuk do të ketë protesta nga ana e opozitës. Burime nga selia rozë kanë konfirmuar lajmin, ndërsa kanë bërë të ditur se ato janë shtyrë për një afat të pacaktuar. Shkaku duket se lidhet me sforcon e madhe që kërkon organizimi i një proteste, jo vetëm nga ana financiare, por edhe njerëzore. Ndaj kreu socialist, për t’i dhënë frymëmarrje strukturave të partisë, ka vendosur që të angazhohet personalisht në një tur takimesh në bazë. Kështu, të njëjtat burime kanë bërë të ditur se Rama, të premten do të jetë në qytetin e Elbasanit, ku do të zhvillojë një takim me socialistët në kinema “Millenium”. Tema e këtyre takimeve mësohet se do të jetë e lidhur me zhvillimet politike, që kanë ndodhur kohët e fundit në vend, si dhe përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme vendore.

Rama

Ndërkohë, po gjatë ditës së djeshme, Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka kërkuar largimin e kryeministrit Sali Berisha përmes demonstratave. Gjatë një konference për mediat, kreu i PS-së tha se festa e 20 shkurtit, e organizuar nga PD-ja, nuk ishte gjë tjetër veçse mitingu i radhës së një pushteti kundër opozitës. Ndaj kjo, sipas tij, është një arsye më shumë që opozita të vijojë të protestojë kundër kësaj qeverisje, deri në largimin e saj. “Në njëzetë shkurtin e njëzetë, pas rrëzimit të monumentit të diktatorit komunist, Shqipëria pa mitingun e radhës të pushtetit kundër opozitës dhe dëgjoi të sharat e radhës, që një njeri i diktaturës së vjetër të komunizmit u bëri opozitarëve, në emër të diktaturës së re të korrupsionit. Njësoj si njëzetë vjet më parë. Edhe për këtë, Saliu duhet të largohet. Ja pse demonstratat do të vazhdojnë edhe më të fuqishme. Paqësisht, por vendosmërisht”, - tha Rama. Ai përforcoi më shumë qëndrimin për demonstrata të vazhdueshme, deri në largimin e kësaj qeverie, duke argumentuar. “Pasi vodhi zgjedhjet për të vjedhur Shqipërinë dhe vrau për të vazhduar të vjedhë, Saliu i këndoi dje dhunës së regjimit të kusarisë, përpara një turme të mbledhur nga të katër anët e vendit, me listat e administratës shtetërore. Njësoj si njëzet vjet më parë. Edhe për këtë, Saliu duhet të largohet. Ja pse demonstratat popullore do të vazhdojnë edhe më të fuqishme. Paqësisht, por vendosmërisht. I frikur deri në palcë nga zullumi që ka trashur, duke vjedhur e duke vrarë, për të vazhduar të vjedhë, Saliu bërtiti dje përsëri pa thënë dot asgjë tjetër, përveç kërcënimeve që ia bën opozitës për t’i dëgjuar vetë dhe marrë kurajo për të ndenjur në këmbë. Njësoj si njëzetë vjet më parë. Edhe për këtë, Saliu duhet të largohet. Ja pse demonstratat popullore do të vazhdojnë edhe më të fuqishme. Paqësisht, por vendosmërisht”, - tha Rama. Kryetari i PS-së shtoi se, Berisha duhet të largohet pasi, sipas tij, pushteti që ai drejton po varfëron dhe papunëson përditë shqiptarët.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›