E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Kjo është Kombëtarja kuqezi më e re në moshë”

 

Trajneri i Kombëtares shqiptare ka thënë se ekipi që është grumbulluar në Baku i përket së ardhmes dhe se aktualisht Shqipëria ka skuadrën me moshë më të re të viteve të fundit. Holandezi, në një intervistë të dhënë për zyrën e shtypit në FSHF, ka pohuar se u ka kërkuar impenjim maksimal lojtarëve për ndeshjen e sotme, pasi kërkon fitoren ndaj Azerbajxhanit.
Si është gjendja e skuadrës?
Kemi katër mungesa të rëndësishme në skuadër. Tre futbollistë janë të dëmtuar dhe nuk mund të vinin. I katërti, Lorik Cana, ka qëndruar në shtëpi me lejen time. Duke parë impenjimet e tij të shumta dhe të lodhshme, largësinë që duhet të përshkruante e lejova të mos vinte. Nga ana tjetër, mungesa e tij, i hap rrugën aktivizimit të disa lojtarëve të tjerë dhe disa eksperimenteve që dëshiroj të aplikoj në këtë takim. Gjendja e pjesës tjetër të skuadrës është mjaft e mirë dhe kam parë te futbollistët një dëshirë të madhe gjatë këtyre ditëve.
Përballë është Azerbajxhani. Jeni i kënaqur nga kjo zgjedhje?
E kam theksuar edhe herë tjetër që miqësorja me Azerbajxhanin, është një mundësi mjaft e mirë për të përgatitur takimin e radhës me Maltën. Janë skuadra me karakteristika të përbashkëta dhe ne do të bëjmë disa eksperimente. E shikoj si një ndeshje interesante, që do t’i shërbejë mjaft skuadrës. Edhe për kundërshtarin, një takim i tillë, ka mjaft anë pozitive, kështu që mendoj se do të kemi një shfaqje të bukur..
Cila do të ishte këshilla juaj kryesore për skuadrën?
Djemtë vijnë nga ndeshje të forta në kampionatet e tyre. Udhëtimi ka qenë i gjatë dhe i lodhshëm. Por në fushë, të mërkurën ne duhet të japim maksimumin. Ajo për të cilën kam folur këto ditë dhe do ta theksoj në analizën time nesër është fakti që, ne duhet të impenjohemi seriozisht dhe të japim maksimumin, në mënyrë që të vazhdojmë rezultatet pozitive. Kjo është shumë e mirë për ne. Kombëtarja është një gjë e veçantë dhe për të arritur tek rezultati duhet të japësh gjithmonë mbi 100%.
Cili do të jetë kapiteni i Shqipërisë në këtë takim, duke qenë se mungojnë si Lala, edhe zv/kapiteni Cana?
Emrin do ta mësoni nesër (sot). Po kështu edhe formacionin. Ju e dini tashmë se atë e deklaroj vetëm ditën e ndeshjes. Sa i takon kapitenit, për këtë takim mund t’ju konfirmoj se ai do të jetë një nga futbollistët më me eksperiencë të ekipit.
Çdo ndeshje, qoftë kjo zyrtare apo miqësore, ka të veçantat e saj. Po në këtë takim me Azerbajxhanit, cila është sipas jush?
Fakti që është një skuadër e re. Ka shumë lojtarë të rinj. Nuk mund ta them me siguri absolute, sepse mund të gaboj diçka në statistika, por kjo është skuadra më e re në moshë e viteve të fundit. Mendoni, pesë futbollistë kanë luajtur vjet me ekipin Shpresa. Madje edhe këtu në Azerbajxhan, për eliminatoret e grupit. Kjo mendoj se është një gjë pozitive, e cila na bën të besojmë shumë për të ardhmen e Kombëtares shqiptare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›