E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi, shpresa e fundit për Kodin

 

ADI SHKEMBI

Firma e Presidentit Bamir Topi mbi Kodin e ri Zgjedhor, është mundësia e fundit për dhjetë deputetët grevistë në betejën e tyre për të hartuar një ligj zgjedhor gjithë-përfshirës. Pas miratimit të martën në mbrëmje me 112 vota pro të Kodit Elektoral, tani vëmendja kryesore do të përqendrohet te kreu i shtetit. Sipas kushtetutës, ai ka 20 ditë kohë që nga momenti i paraqitjes së ligjit për ta dekretuar atë, për ta kthyer sërish për rishqyrtim në parlament, apo për ta lënë të miratohet duke mos u shprehur. “Presidenti i Republikës shpall ligjin e miratuar brenda 20 ditëve nga paraqitja e tij. Ligji quhet i shpallur, në qoftë se Presidenti i Republikës nuk ushtron të drejtat e parashikuara në paragrafin 1 të këtij neni dhe në paragrafin 1 të nenit 85”, thuhet në pikat 1 dhe 2 të nenit 84 të kushtetutës. Por vetë deklaratat e Presidentit Topi, si dhe ato të faktorit ndërkombëtar për një kod gjithëpërfshirës dhe me konsensusin më të madh të mundshëm, duket se rrisin shpresat që kreu i shtetit të mos e dekretojë Kodin e ri Zgjedhor. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, gjatë ditëve të grevës së urisë së 10 deputetëve, kreu i shtetit deklaroi se ashtu siç e theksonte gjerësisht dokumenti i përvitshëm i bashkimit Evropian në vend mungon ende kultura e dialogut në klasën politike. “Në progres-raport thuhet që mungon kultura e dialogut politik midis partive politike, gjë që po vërehet edhe në momentet e reformimit të Kodit Zgjedhor, që ka imponuar që edhe një pjesë e deputetëve t’i mbrojnë interesat e tyre në këtë formë të protestës, që po konsiderohet një protestë demokratike, por është në të drejtën, në vizionin, në perceptimin dhe në pozicionin e çdo partie politike dhe çdo deputeti që do të protestojë pikërisht për arritjen e standardit, që ka të bëjë me marrjen në konsideratë edhe të interesave të tyre”, u shpreh Topi nëntë ditë më parë. Gjithsesi, pavarësisht deklaratave të kreut të shtetit, fakti që Kodi Zgjedhor kaloi me 112 vota pro dhe vetëm një kundër, por edhe që për të votuan dy partitë e mëdha, duket se e bën të vështirë një firmë kundër të kreut të shtetit. Në një situatë të tillë, Topi u vu edhe në prill të këtij viti me ndryshimet kushtetuese ku megjithëse me një pakicë brenda partisë demokratike tentoi të bllokonte disa prej pikave të amendamentit, në fund i dekretoi ato brenda pak ditësh. Madje duke argumentuar firmën e shpejtë mbi ndryshimet kushtetuese, Presidenti tha se ato kaluan me shumicën dërrmuese të votave të partive të mëdha. Një mundësi tjetër, megjithëse e vogël, është edhe qëndrimi i disa diplomatëve perëndimorë në Tiranë, të cilët vazhdimisht kanë bërë thirrje për një kod gjithëpërfshirës. Pak ditë para hyrjes në grevën e urisë, përfaqësuesit e disa partive parlamentare i dërguan një letër Topit, ku i bënin thirrje të ndërhynte për të zgjidhur situatën ku, sipas tyre, e kanë futur dy partitë e mëdha. Në këtë letër, të firmosur nga nëntë deputetë, kundërshtohej neni 28 i cili flet për përbërjen e komisioneve të zonave të administrimit zgjedhor dhe sipas firmëtarëve e bën këtë strukturë të kontrollueshme vetëm nga PS-PD. Gjithashtu neni 35 i cili flet për komisionet e qendrave të votimit i bën këto përsëri plotësisht të dominueshme dhe kontrollueshme vetëm nga aleanca PS-PD. Kundërshtimi i deputetëve ishte edhe në nenin e caktimin e anëtarëve të grupeve të numërimit që përbëhet vetëm nga dy partitë e mëdha. “Të ndalohet miratimi i Kodit të ri Zgjedhor dhe të garantohet gjithëpërfshirja në procesin e administrimit të zgjedhjeve. Një krizë e detyrueshme politike mund të sjellë përshkallëzime negative për imazhin dhe stabilitetin real të vendit. Në Kodin Zgjedhor që po kundërshtojmë, PS-PD janë munduar që të paracaktojnë rezultatin e zgjedhjeve, duke e paraqitur si formë demokratike”, thuhej ndër të tjera në letrën e deputetëve drejtuar kreut të shtetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›