Meta: S’njohim Kodin për administrimin e zgjedhjeve
Aristir Lumezi
Kreu i LSI-së Ilir Meta, paralajmëroi dje protesta të fuqishme brenda dhe jashtë vendit në mbrojtje të votës së lirë. Pas daljes nga greva e urisë, deputetët e LSI-së mblodhën kryesinë e kësaj partie, ku u vendos vazhdimi i protestës në mbrojtje të votës së lirë përmes pjesëmarrjes në procesin e administrimit të saj. Të mërkurën e ardhshme, LSI fton të gjithë simpatizantët e saj në sheshin “Skënderbej”, të protestojnë kundër Kodit të miratuar me votat e dy partive kryesore, PD-PS. Ilir Meta gjatë një konference për shtyp tha se: “Të enjten e ardhshme, në orën 16.00, të gjithë shqiptarët që besojnë se vota e tyre duhet të jetë e lirë, duhet të jetë e barabartë, se vota e tyre duhet të jetë e shenjtë, të bashkohemi që të gjithë, pa dallim partish, në sheshin “Skënderbej”, për të organizuar një nga protestat dhe manifestimet më të mëdha paqësore, që ka njohur vendi, që në fillimet e pluralizmit politik, për t’u treguar të gjithëve se shpirti i shqiptarëve për liri dhe për demokraci, nuk mund të ndrydhet nga maxhoranca a kartonëve”. Meta tha se LSI nuk e pranon atë pjesë të Kodit, që bën fjalë për administrimin e procesit zgjedhor dhe për këtë do të ndjekë të gjitha procedurat dhe rrugët ligjore. Sipas tij, “ne nuk do ta njohim kurrë dhe do ta kontestojmë pa u lodhur atë pjesë të Kodit që trajton administrimin e zgjedhjeve, sepse është dëmtuar barazia e palëve përpara zgjedhjeve. Vetëm në këtë mënyrë mund të ndihmojmë në realizimin konkret të së drejtës së qytetarëve për të votuar të lirë dhe që vota e tyre të mos vidhet dhe tjetërsohet”. “Ne do të ndjekim të gjitha procedurat ligjore dhe institucionale, pa asnjë diskutim. Ky është një ndër drejtimet e aksionit tonë, duke evidentuar të gjitha shkeljet, që janë bërë gjatë gjithë kësaj kohe: shkeljen e gjithë principeve ndërkombëtare, shkeljen e rekomandimeve ndërkombëtare, shkeljen e Kushtetutës, shkeljen e Rregullores së Kuvendit”, tha Meta. Duke komentuar votimin e dy ditëve më parë të Kodit nga dy partitë kryesore, PD-PS, Meta tha se ai ishte një hap prapa në rrugën e demokracisë. “Votimi i djeshëm PD-PS ishte një hap i madh mbrapa në standardet e transparencës demokratike me qëllimin për të dëmtuar shqiptarët, që të humbasin besimin tek vota e lirë. Ata treguan qartë se i sakrifikojnë pa hezitim interesat legjitime të shqiptarëve që burojnë nga vota e lirë për interesat e ngushta partiake dhe personale”, tha Meta. Sipas tij, “u injorua me arrogancë rekomandimi shumë i qartë i OSBE/ODIHR mbas zgjedhjeve të deformuara të vitit 2005, për të pasur më shumë pluralizëm në procesin e administrimit të zgjedhjeve dhe për të mos lejuar kontroll dhe dominim të komisioneve zgjedhore të PS-PD. Asnjëherë më parë në historinë postkomuniste të Shqipërisë nuk ka pasur më pak transparencë dhe pjesëmarrje në komisionet zgjedhore. Asnjëherë më parë këtë proces nuk e kanë monopolizuar 2 parti politike”. Meta tha se “ky është një hap mbrapa dhe një mundësi që 2 partitë e mëdha i japin vetes për të manipuluar dhe abuzuar me votën e konkurrentëve të tyre”. Duke folur për sensibilizimin që krijoi greva e urisë së deputetëve, Meta tha se greva krijoi një sensibilizim të jashtëzakonshëm brenda dhe jashtë vendit, sepse duke qenë një nga grevat më qytetare ajo kërkoi dhe pati mision rivendosjen e standardeve demokratike në zgjedhje dhe përmbushjen e parimeve të OSBE-ODIHR. “Ky është standardi evropian për zgjedhje të lira dhe jo konsensusi dypartiak i realizuar në shkelje të Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit, për të përjashtuar dhe diskriminuar me ligj konkurrentët politikë në zgjedhje. Deputetëve u la vetëm 1 ditë për t’u njohur me Kodin Zgjedhor dhe PS-PD me arrogancë shkelën rregullat dhe procedurat e Kuvendit të Shqipërisë”, tha Meta.
Ndoka: Do ringrejmë të djathtën pa Berishën
Pas LSI-së edhe Partia Demokristiane paralajmëron protesta në mbarë vendin për të kundërshtuar Kodin e ri Zgjedhor të miratuar me konsensusin e PD-së dhe PS-së. Një ditë pas miratimit të tij në Kuvend, që shënoi edhe fundin e grevës nëntë ditore të një grupi deputetësh, Kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka tha në një konferencë për shtyp se tashmë ka nisur beteja për të çliruar vendin nga mbetjet e fundit të regjimit komunist. “Ne, duke filluar prej sot, do të jemi në këmbë së bashku me qytetarët shqiptarë, për ta ndalur këtë regres të frikshëm, për të ndalur degradimin e demokracisë në diktaturë, për të ndalur degradimin e lirisë në karikaturë të saj. Unë dua t’’i garantoj sot qytetarët shqiptarë se ne tashmë kemi filluar betejën më të fuqishme politike, betejën e shenjtë për ta çliruar vendin nga mbetjet e fundit të diktaturës komuniste”, u shpreh dje Ndoka. Sipas tij “PDK do të jetë në ballë të një lëvizjeje të fuqishme politike për të ringritur të djathtën shqiptare pa Sali Berishën, i cili jo vetëm ka marrë peng të djathtën prej shumë vitesh, po tashmë, në bashkëpunim edhe me tiranin e ri socialist, po përpiqet të marrë peng Shqipërinë, të ardhmen evropiane të saj. Rruga e Lirisë asnjëherë nuk ka qenë e lehtë, por demokristianët shqiptarë janë sot më të vendosur se kurrë për t’i thënë “Jo” diktaturës. Asnjë ligj dhe asnjë kod elektoral nuk do t’i shpëtojë ata nga dështimi i turpshëm”. Duke komentuar votimin e një nate më parë, kur Kodi i ri Zgjedhor mori 112 vota, kreu i demokristianëve e quajti bashkimin e votave mes dy partive të mëdha një aleancë të turpshme që i shërben pushtetit personal të Berishës dhe Ramës. “Pluralizmi politik dhe standardet e demokracisë në Shqipëri, pas votimit të mbrëmshëm kthehen vite pas, në vitin 1990, kur Ramiz Alia dhe kasta e fundit komuniste, në agoninë e saj politike, u përpoq të shndërronte në subjekte elektorale Frontin Demokratik, Bashkimin e Rinisë së Punës të Shqipërisë, Organizatën e Gruas, Lidhjen e Shkrimtarëve etj, pra e organizatave leva të Partisë së Punës”, vijoi më tej Ndoka.
Bosch: Tani Kodi të implementohet
Pas miratimit të Kodit të ri Zgjedhor të martën në mbrëmje, kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Robert Bosch tha se ndërsa Kodi Zgjedhor është aprovuar nga Kuvendi me një shumicë të gjerë, ka ardhur koha të përqendrohemi në zbatimin praktik të Kodit, në mënyrë që të sigurohet që zgjedhjet e ardhshme parlamentare vitin tjetër, të zhvillohen në përputhje me angazhimet ndërkombëtare. “Prezenca e OSBE-së qëndron e gatshme të ndihmojë në zbatimin e Kodit,” tha Ambasadori Bosch. Dy ditë më parë, në deklarata publike u vu re përplasja brenda vetë prezencës së OSBE-së në Tiranë. Fillimisht ishte Ambasadori Bosch, i cili deklaroi se duke iu referuar rekomandimeve të tre viteve më parë, duhet hartuar një kod gjithëpërfshirës dhe jo diskriminues. Sipas tij, Kodi i ri nuk është saktësisht një dokument i shkëlqyer. Por më pas me një njoftim për shtyp, Prezenca deklaroi se Kodi i ri përbën një arritje.