E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD rrëzon Muçmatën, LSI kundër



Erald Kapri

Maxhoranca rrëzon dekretin e radhës së Presidentit, Bamir Topi, për në Gjykatën e Lartë. Komisioni i Ligjeve votoi dje kundër kandidaturës së Vexhi Muçmatës, aktualisht prokuror në Tiranë, duke e cilësuar atë si një kandidaturë "të mangët dhe që nuk përbën kandidaturën e përshtatshme si anëtar i Gjykatës së Lartë". Deputetët e djathtë votuan të vetëm këtë kandidaturë, pasi opozita bojkotoi mbledhjen e Komisionit të Ligjeve, duke paralajmëruar edhe bojkotin në seancën plenare, kur të kryhet votimi i hapur. Por rrëzimi i kësaj kandidature nuk u mbështet sërish nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Nënkryetari i Kuvendit, anëtar në Komisionin e Ligjeve, Nasip Naço, deklaroi votën pro ndaj kësaj kandidature, me argumentimin e kundërt të deputetëve të PD-së, duke e cilësuar si kandidaturë të përshtatshme. "Muçmata është një prokuror, një figurë goxha e kompletuar, një figurë që me plot gojën mund ta quaj ikonë të Prokurorisë shqiptare, një figurë që duhet vlerësuar dhe të mos thuhet me integritet të mangët moral dhe profesional. Kam votuar me bindje dhe ndërgjegje të plotë edhe zonjën Xhoxhaj, edhe zotin Kosta, edhe për zotin çomo kam votuar, dhe kështu do votoj dhe për zotin Muçmata", tha Nasip Naço.
Deputeti i PD-së, Viktor Gumi lexoi para komisionit relacionin duke argumentuar se kandidati Muçmata kishte punuar në hetuesinë e sistemin e komunist, kishte marrë pjesë në hetime të një natyre politike në kohën e diktaturës, fshehu të dhëna nga CV e tij, si dhe paraqiti të dhëna kontradiktore gjatë seancës dëgjimore në komisionin e ligjeve. "Kandidati ka shërbyer në strukturat represive të regjimit të vjetër komunist, në rolin e hetuesit dhe ka qenë drejtpërdrejt i përfshirë në hetimin e veprave penale me natyrë politike. Besimi te ky kandidat në integritetin moral dhe profesional vlerësoj se është i mangët dhe ai nuk përbën kandidaturën e përshtatshme për të dhënë pëlqimin e komisionit dhe më pas të Kuvendit, për detyrën madhore të Gjykatësit të Lartë", tha Viktor Gumi. Deputetë të tjerë të maxhorancës kërkuan rrëzimin e kësaj kandidature, me argumentimin se Muçmata nuk bindi. "Duke i qëndruar procedurës, unë personalisht deklaroj votën kundër kësaj kandidature dhe i bëj thirrje të gjithë kolegëve ta mësojmë para këtë nisëm për të dhënë shembullin tonë, në përzgjedhjen e të gjithë njerëzve që duan të shërbejnë me ndershmëri në administratë. Me votën kundër kësaj kandidature, ne të japim një sinjal dhe ne të bëjmë shembull për të gjitha institucionet e tjera. Njëkohësisht edhe Presidentin e falënderoj për urimin që na bëri për punën tonë", tha deputeti i PD-së, Fatos Hoxha. Edhe deputetë të tjerë të PD-së si Aldo Bumçi, Enkelejd Alibeaj dhe Edi Paloka, mbështetën relacionin për rrëzimin e Muçmatës, si anëtar për në Gjykatën e Lartë.

Topi: Do përdor kritere të njëjta
Presidenti i Republikës, Bamir Topi reagoi pak ditë më parë gjatë një vizite në Theth, për rrëzimin e dekreteve të tij nga maxhoranca në Kuvend. Topi tha se Presidenca do të ndjekë të njëjtat kritere për emërimet dhe propozimet e ardhur nga ekzekutivi. "Në rast se Kuvendi, me të drejtë, ka rritur rigorozitetin në kontrollin e kandidaturave, kjo vlen dhe për Institucionin e Presidentit, që duhet ta përmirësojë, të vendosë kritere shumë më rigoroze për të gjitha kandidaturat dhe propozimet që vijnë nga pushtetet e tjera. Pra, kjo është historia e pushteteve në një vend demokratik, "check and balance", shikojnë njëri-tjetrin, kontrollojnë njëri-tjetrin dhe punojnë për demokracinë", u shpreh Topi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›