E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Sun Rise”, droga e bllokuar,besohet se grabitej në bregdet

13/07/2010 Nëntë persona trafikuan 1.5 ton hashash dhe 10 kg heroinë. Skema e plotë

TIRANE- Një bandë prej nëntë persona nga Vlora dhe Fieri, kanë mundur të trafikojnë në Itali rreth 1.5 ton drogë të llojit Marjuanë, si dhe 10 kg heroinë. E gjithë kjo sasi është kapur nga policia italiane, ndërkohë që personat që e dërgonin atë në drejtim të Italisë mendonin se në disa rrugë droga grabitej nga bashkatdhetarët e tyre që kryenin trafik droge në Itali. Ky detaj ka dalë nga përgjimi i bisedave telefonike, të cilat kanë vërtetuar se lënda narkotike kryesisht mblidhej në fshatrat e Vlorës dhe në Lazarat, dhe me mjete lundruese (gomone) ajo transportohej në dhjetë episode në brigjet e Leçes, nga ku më pas shpërndahej në gjithë territorin italian, madje në disa raste grupi arrinte ta çonte marjuanën deri në Gjermani dhe Belgjikë. Sipas Prokurorisë, grupi vepronte në katër shtete, ku në secilin prej tyre pak kohë më parë u zhvillua një operacion i përbashkët i koduar “Lindja e Diellit”, ku në pranga ranë plot 53 persona. Vetëm në Shqipëri u ndaluan 5 persona, ndërkohë që katër të tjerë u shpallën në kërkim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Kreu i grupit kriminal që vepronte në Shqipëri është i pandehuri Fatbardh Kapllanaj, i cili aktualisht është i dënuar me disa vjet nga gjykata pasi është arrestuar gjatë operacionit të koduar “Vjosa”. Nga hetimet e kryera konstatohet se i gjithë aktiviteti kriminal i këtij grupi prej nëntë të pandehurish shtrihet rreth viteve 2005-2007 ku, Fatbardh Kapllanaj në bashkëpunim edhe me të pandehurit Mareglen Halka, Pilo Zanaj, Daniel Likaj, Artur Demaj, Arben Paluka, Bledar Xhufi, Sandër Likaj dhe Stefan Zoto kanë trafikuar në Itali një sasi prej 1.5 tonësh marjuanë dhe 10 kg heroinë. Ndalimi i këtyre personave është kryer në bashkëpunim me Prokurorinë e antimafies në Leçe.

Rruga e parë e trafikut

Rruga e parë e dokumentuar e këtij rrjeti trafiku, sipas Prokurorisë, daton më 20 janar 2006 ku janë sekuestruar 351 kg Cannabis Sativa, e cila është zbarkuar në Torre Veneri nga i pandehuri Fatbardh Kapllanaj alias Ilia Tare dhe nga të pandehurit ku pritës ka qenë i pandehuri Arben Paluka. Në lidhje me këtë ngjarje janë arrestuar shtetasit Isuf Brahimi, Arsen Marku dhe Ilir Mersinaj. Lënda narkotike është sekuestruar në automjetin e tipit “Lancia Dreda” me targë BAB 86749 që drejtohej nga shtetasi Arsen Marku dhe në të cilën ndodheshin shtetasit Isuf Brahimi dhe Ilir Mersinaj. Oficerët e Guardia di Financia që kanë kryer vëzhgimet në lidhje me këtë ngjarje kanë konstatuar se në vendngjarje ndodhej edhe një makinë e tipit “Wolksvagen Passat” me targë BL 792 MA në të cilën ndodheshin shtetasit Gianfranco Grimaldi Adrian Aga dhe Fatbardh Kapllanaj, të cilët janë larguar me makinë nga vendi ku ndodheshin. Nga aktet rezulton se i pandehuri Fatbardh Kapllanaj në këtë kohë ndodhej në Itali dhe ky fakt vërtetohet nga regjistrimi në hotelin “BB Castello” me emrin e rremë Ilia Tare. Në datën 12 shtator 2006 është sekuestruar sasia 278,500 lëndë narkotike të llojit Cannabis Sativa në vendin e quajtur “Torre S. Gennaro” në Brindizi. Sasia e drogës ishte fshehur në shkurret, që ndodheshin shumë pak metra larg nga deti. Ndërkohë që më 2 tetor është sekuestruar sasia prej 217 kg lëndë narkotike e llojit Cannabis Sativa në vendin e quajtur S.Cataldo, Leçe. Veç këtyre episodeve janë dhe disa momente të tjera ku grupi ka trafikuar drogë në Itali.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›