E Diel, 1 Nëntor 2026

INSTAT: shtrenjtimi i materialeve të ndërtimit rrit çmimin e banesave me 1 %

Shtrenjtimi i energjisë ndikoi drejtpërdrejt në shtrenjtimin e banesave

Rritja e energjisë elektrike dhe materialeve të ndërtimit ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e kostos së ndërtimit. Ky fakt pritet të shtrenjtojë çmimin e shtëpive. Në tremujorin e katërt të vitit të shkuar indeksi i çmimit të ndërtimit ka pësuar një rritje prej 0.1 për qind krahasuar me tremujorin e tretë të këtij viti. Përveç rritjes së çmimit të materialeve të ndërtimit

në rritjen e indeksit të ndërtimit ka dhënë efektet e të drejtpërdrejta dhe rritja e energjisë elektrike, materialeve elektrike edhe atyre hidraulike. Shifrat janë bërë publike dje nga Instituti i Statistikave. Në pasqyrën e INSTAT vërehet edhe një rritje e shpenzimeve për paga në masën 0.2 për qind. Sipas të njëjtave burime mësohet se kanë mbetur të pandryshuara shpenzimet e transport dhe fitimi i parashikuar nga kompanitë e ndërtimit.

Statistikat
Në tremujorin e katërt 2009, Indeksi i kushtimit në ndërtim arriti 128.4 për qind, duke shënuar një rritje prej 0.1 për qind kundrejt tremujorit të mëparshëm. Por po të krahasojmë indeksin e kushtimit të ndërtimit me të njëjtën periudhë të vitit 2008 kjo vlerë ka shënuar një ulje prej 0.5 për qind. Një vit më parë ky ndryshim ishte 1.4 për qind. Burime zyrtare nga INSTAT bënë të ditur dje se indeksi i çmimeve të grupit Shpenzime direkte është rritur 0.1 për qind kundrejt tremujorit të mëparshëm. Ndërsa treguesi i nëngrupit Shpenzime materiale është rritur me 0.1 për qind. Sipas të njëjtave burime mësohet se në këtë tremujor, krahasuar me tremujorin e mëparshëm, çmimet e materialeve të ndërtimit, materialeve elektrike dhe hidrosanitare janë rritur përkatësisht me 0.1, 0.5 dhe 0.1 për qind. Sipas Institutit të Statistikave në këtë tremujor, indeksi i Kushtimit në Ndërtim për grupet e tjera nuk ka  ndryshuar krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2009. Krahasuar me vitin 2008 vitin e shkuar çmimi i banesave ka pësuar një rritje, që shkon në rreth 18 për qind. Rritja është pasqyruar në në buletinin ekonomik të botuar së fundmi, Banka e Shqipërisë, e cila ka bërë të ditur se efektet kryesore të rritjes së çmimeve të banesave kanë ardhur sërish nga kërkesa e lartë për strehim në kushtet kur ka një ofertë të kufizuar. Sipas raportit të Bankës së Shqipërisë, çmimet e banesave kanë pësuar një rritje me 18 për qind në tremujorin e tretë të vitit 2009, krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë. Të dhënat nga vrojtimet e besimit të bizneseve të ndërtimit tregojnë për një prirje në rënie të çmimeve të prodhimit, e cila nuk është reflektuar në çmimet e transaksioneve gjatë shitblerjes në dy tremujorët e fundit. Efektet e kursit Rritja vjetore e çmimit të banesave, duke përjashtuar efektin e nënçmimit vjetor të lekut ndaj euros, do të rezultonte vetëm 10 për qind (18 për qind me këtë efekt). Bazuar në të dhëna të tërthorta, gjykohet se zhvillimet në çmimet e banesave do të ndikohen si nga rritja e pritur e ofertës, e shprehur në vlerësime më pozitive të prodhimit në ndërtim, ashtu edhe nga një rënie e inventarëve të bizneseve të ndërtimit gjatë dy tremujorëve të fundit.

Çmimet
Në fillim të këtij viti ekzekutivi vendosi miratimin e kostos mesatare të ndërtimit të banesave nga Enti Kombëtar i Banesave, për vitin 2010. Këshilli i Ministrave udhëzoi miratimin e kostos mesatare të ndërtimit të banesave, nga Enti Kombëtar i Banesave, në shkallë republike, për vitin 2010, në masën 34 668 lekë/m2, për sipërfaqe shfrytëzimi, nga 33. 464 lekë/m2, që ishte një vit më parë. Sipas ekzekutivit kostoja mesatare e ndërtimit dhe vlera mesatare e apartamenteve në tregun e lirë të banesave, sipas qyteteve, për vitin 2010 është përcaktuar po në këtë vendim. Për qytetet, për të cilat nuk janë nxjerrë vlerat e kostos mesatare të ndërtimit, të merren vlerat e kostos së ndërtimit të qytetit më të afërt. Në rastet kur vlera e banesave në tregun e lirë është më e ulët se vlera e ndërtimit të banesave të reja, mbi bazën e vendimit të këshillit bashkiak, entet menaxhuese blejnë banesa nga tregu i lirë, për ti dhënë më pas me kontratë qiraje sociale.

Ornela Manjani

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›