E Diel, 1 Nëntor 2026

Galiani-Alegri, takimi i parë nuk zgjidh gjë, vendos Berluskoni

Nuk ka asnjë zgjidhje sa i takon trajnerit të ardhshëm të Milanit. Edhe pse Galiani është takuar me Alegrin, ashtu siç ishte parashikuar ditë më parë, nuk ka pasur asnjë zhvillim të ri. Takimi i shumëpritur mes administratorit të deleguar Adriano Galliani dhe trajnerit të Milanit, Masimiliano Alegri duket se nuk i ka dhënë zgjidhje ngërçit të pankinës në ekipin kuqezi. Gjithsesi, sipas mediave italiane, rruga e largimit për teknikun livornez tashmë është caktuar nga presidenti Silvio Berluskoni, i cili dëshiron që të shikojë ish-mesfushorin Klarens Sedorf në stolin e ekipit. “Nuk kam asgjë për t’ju thënë. Gjatë takimit nuk ndodhi absolutisht asgjë, thjesht konsumuam nga një kafe,” – ka deklaruar Alegri pas takimit me Galianin. Kontrata aktuale e Alegrit skadon pas një sezoni, por tekniku mund të nënshkruajë një të re me Romën, e cila i ka ndezur dritën jeshile, në rast se Galiani do t’ia zyrtarizojë largimin nga stoli pas një sezoni të vuajtur. Fjala e fundit pritet nga Berluskoni, i cili duket sikur nuk e ka më qejf Alegrin. 
(e.m/E.Ilnica/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›