Galiani: Luis Fabiano mbetet objektivi i vetëm
"I vetmi objektiv i merkatos së Milanit është Luis Fabiano i Seviljes". Adriano Galiani e ka theksuar këtë pas mbledhjes së asamblesë së "Lega calcio". Është mbyllur përfundimisht pista që të çonte te Klas Huntelar i Real Madrid (që mund të shkojë te Shtutgarti), e vetmja mundësi mbetet sulmuesi brazilian, fituesi i freskët e Kupës së Konfederatave. Ndërsa për sa i përket mbrojtjes, Galiani ka përjashtuar blerje të reja pas ardhjes së amerikanit Oguçi Onyevu nga Standard i Liezhit. "Në këto momente duhet t‘u themi mjaft Sisokos dhe të tjerëve, sepse jemi shumë, ka shtuar ai. Gjithçka është mbyllur dhe mbetet në këmbë vetëm një alternativë, e cila i përket Luis Fabianos. Këtë lojtar e preferon trajneri ynë më shumë se Huntelarin". Por rruga që të çon te sulmuesi i Seviljes nuk duket shumë e lehtë. "Na ndajnë disa milionë euro (spanjollët kërkojnë 25), diferenca është ende e madhe. Për detaje të tjera është ende herët për të folur: më parë duhet të gjejmë një marrëveshje për shifrat me Seviljen", ka shtuar Galiani. Ndërsa a konfirmuar se "me blerjen e mbrojtësit qendror amerikan tashmë mendojmë se çështja e merkatos në lidhje me këtë repart është mbyllur, pasi që në janar Milani ka blerë edhe mbrojtësin tjetër brazilian, Tiago Silva".